​KEDS-i po diskriminon Podujevën

17:16 | 29 Shtator 2015
M. A.

Podujeva po diskriminohet vazhdimisht nga KEDS-i duke pasur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

Kështu është vlerësuar sot nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi të kësaj komune ku u kërkua nga KEDS-i që urgjentisht të intervenojë në përmirësimin e rrjetit elektrik, si në qytet ashtu edhe në fshatra.

Në lidhje me gjendjen në rrjetin elektroenergjetik në komunë, anëtarët e Këshillit komunal për siguri në Bashkësi i ka drejtori për mbrojtje dhe shpëtim Faik Muçiqi.

Ai tha se rrjeti i vjetruar elektrik, sidomos nëpër fshatra, vazhdon të paraqes problem dhe rrezik për qytetarët e komunës së Podujevës.

Sipas Muçiqit KEDS-i, në investimet e saj në komunën e Podujevës, më shumë është i fokusuar në vendosjen e njehsorëve elektrikë digjitalë, sesa në rregullimin e rrjetit të stërvjetëruar elektrik.

Në takim u tha se KEDS-i përveç mos investimit në rrjet vazhdon ta diskriminojë Podujevën edhe me reduktime të gjata dhe të pa paralajmëruara të energjisë elektrike.

Kryetari Veliu tha se në disa takime me drejtues të KEDS-it ka kërkuar nga ata që të përmirësojnë furnizimin me energji dhe të bëjnë investime konkrete në rrjet elektrik.

“Lidhur me këtë çështje KKSBV vlerësoi se KEDS po vazhdon ta diskriminojë Podujevën. Prandaj KKSB kërkon që KEDS urgjentisht të intervenojë në përmirësimin e rrjetit elektrik si në qytet ashtu edhe në fshatra; të zëvendësojë trafostacionet, të cilat nuk ofrojnë rrymë të mjaftueshme për konsumatorë si dhe të përcjell projektet e Komunës në qytet, në mënyrë që të fillojë shtrirjen e rrjetit elektrik me kabllo nën dhe. Gjithashtu kërkohet nga KEDS-i që të mos vazhdojë me diskriminim e Podujevës duke aplikuar reduktime të gjata dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën lëshuar nga zyra për media e kësaj komune.

Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), të kryesuar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është analizuar gjendja e sigurisë në Komunë. Gjithashtu është prezantuar një informatë nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit për sezonin veror 2015.

Shpërndaje në rrjete sociale