Me një varg manifestimesh sot në Ferizaj është shënuar 28 Shtatori – Dita e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për rajonin e Ferizajt. Kjo ditë ndërlidhet me betejën e njohur si “Epopeja e Jezrcit”, që u zhvillua në fundin e shtatorit të viti 1998, me ç’rast në këtë vend ranë me armë në dorë luftëtarët e UÇK-së, Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu.
Fillimisht një akademi përkujtimore kushtuar kësaj dite është mbajtur në Kuvendin Komunal të Ferizajt, me ç’rast kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa ka vënë në dukje se kjo ditë mbetet në vetëdijen tonë si dita e skalitjes së lavdisë, heroizmit dhe sakrificës.
“Nëse e pyesim veten, se si e kemi ndërtuar lirinë tonë, çfarë përmbajtje i kemi dhënë këto 15-16 vite dhe a po kënaqemi ne si popull me frytet e lirisë së fituar, përgjigjet mund të jenë nga më të ndryshmet. Por një gjë është e sigurt: kosovarët dhe ferizajasit për herë të parë në historinë e tyre, patën shansin e madh që të ndërtojnë themelet e shëndosha të shtetit të tyre, themelet e shëndosha të një shoqërie, mbi bazat e së drejtës dhe fryteve të punës të tyre, të tillë çfarë e kishin ëndërruar dëshmorët, martirët, atdhetarët dhe të gjithë liridashësit”, ka theksuar Svarqa.
I pari i Ferizajt është ndalur edhe tek aktualiteti nëpër të cilin po kalon shoqëria jonë. Ai ka thënë se nuk jemi mjaft të kënaqur me arritjet zhvillimore, megjithëse nuk është bërë pak dhe nuk kanë munguar përpjekjet drejt përparimit në fushën e ekonomisë, arsimit, infrastrukturës, shëndetësisë, kulturës, sportit dhe mirëqenies shoqërore në përgjithësi.
“Megjithatë, vendi ynë edhe më tej ka nevojë për më shumë drejtësi, për më shumë arsim cilësor, për më shumë vende të punës, për mbrojtje shëndetësore më cilësore, për mbrojtje më të mirë sociale. Por, mbi të gjitha, ka nevojë për më shumë kurajë të njerëzve për ta zhvilluar iniciativën sipërmarrëse, për më shumë aktivizëm shoqëror për t’i denoncuar e luftuar keqpërdorimet e devijimet, më shumë vullnet për të marrë pjesë në proceset demokratike”, ka thën ë Svarqa.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyqi, ka thënë se në këtë ditë krenarinë e tyre e forcon arritja e qëllimit sublim, Kosova e lirë, për të cilën e dhanë jetën edhe dëshmorët e kombit.
“Të punojmë shumë për atdheun, nëse duam t’i lajmë borxhet ndaj dëshmorëve. Kur ta kthejmë pozicionin që së pari të punojmë për atdheun dhe popullin, e mandej për vetveten atëherë jemi në rrugë të drejtë të zhvillimit, progresit e përparimit”, ka thënë Bytyqi
Pas akademisë është zhvilluar ceremonia e përvitshme e homazheve dhe vendosjes së luleve në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, aty ku prehen eshtrat e gjithë dëshmorëve të Ferizajt, ndërsa një program kulturo-artistik është mbajtur në Teatrin “Adriana”.Gjatë pasdites është paraparë zbulimi i një pllake përkujtimore në fshatin Jezerc.
Fluksi në pikat kufitare: 1 km kolonë në Muçibabë
Rama paralajmëron taksë: Nga 1 euro për veturat nga qytetet ...
Bllokime rrugore në Shkodër, mbi 200 mjete të ndaluara nga d...
Bora përfshin Shqipërinë, Rama: Ekipet në terren për të gara...
Votat nga diaspora: LVV prin me 87.19% të votave të numëruar...
Elezi: Edhe 5 komuna përmbyllin numërimin e votave të kandid...