Dy vjet më parë, presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi, i cili dje ndërroi jetë në sallën e gjykatës, ishte ankuar se nuk ndihej mirë me shëndet, por gjykata shpërfilli paralajmërimin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një seancë gjyqësore më 6 maj të vitit 2017, Morsi kërkoi takim me avokatin dhe pjesëtarët e familjes së tij të cilët nuk i kishte takuar prej rreth katër muajsh, duke theksuar se ekzistonin disa “situata që rrezikonin jetën e tij” dhe se për këtë çështje dëshironte të bisedonte me avokatin.
I biri i Morsit, Abdullah, në një deklaratë pas seancës, kishte njoftuar se babai i tij është ankuar për disa situata të cilat ia rrezikojnë jetën gjatë “gjykimit të paligjshëm”, por se gjykata nuk e ka marrë parasysh çështjen. Ai po ashtu kishte theksuar se për gjendjen e babait të tij, të privuar nga liria nga 3 korriku i vitit 2013, përgjegjëse është qeveria e Egjiptit.
Ndërkaq, gjatë muajit të Ramazanit këtë vit, familja e tij në një deklaratë me shkrim u ankua se Morsi mbahet i vetëm në qeli në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kanë informacione mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Familja e tij po ashtu është shprehur se masat e zbatuara ndaj Morsit paraqesin shkelje të së drejtës në Egjipt dhe në gjithë botën.
Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën dje në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013.
Ai u varros në lindje të Kajros në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nën masa të forta të sigurisë dhe në prani vetëm të anëtarëve të familjes së tij dhe avokatëve.
Morsi, si anëtar kryesor i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, në vitin 2012 fitoi zgjedhjet e para të lira presidenciale në Egjipt. Pas vetëm një viti në detyrë, ai u rrëzua dhe u burgos me një grusht shteti të përgjakshëm ushtarak të udhëhequr nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe presidenti aktual, Abdel Fattah al-Sisi.
Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera.
Tribunal Special për t’i gjykuar liderët rusë për krimet në ...
Macja juaj bën këto gjëra çdo ditë? Ja pse nuk janë aspak të...
Momente tensioni mes Emery dhe Tielemans – trajneri e ...
Aksident tragjik në Itali, humb jetën 20-vjeçari shqiptar
Serwer dyshues i madh për Bordin e Paqes: E kuptoj dëshirën ...
Dinamo Zagreb shënon fitore bindëse ndaj FSCB, protagonist e...