Nesër fillon për myslimanët muaji i shenjtë i Ramazanit, BIK-u publikon agjendën njëmujore

08:25 | 5 Maj 2019
A Z

Muaji i shenjt i Ramazanit tashmë është afruar. Muaji më i rëndësishëm për myslimanët, muaji i Ramazanit këtë vit do të fillojë ditën e hënë, më 6 maj, ku myslimanë do të agjërojnë për 29 ditë radhazi nga agimi deri në perëndimin e diellit, duke plotësuar një nga pesë shtyllat kyçe të fesë Islame.

Muaji i Ramazanit konsiderohet si muaj i mëshirës, solidaritetit, mirëqenies, ndihmesës. Se cilat janë organizimet nga Bashkësia Islame e Kosovë për arbresh.info ka treguar kryeimami, Fatmir Iljazi.

Ai ka thënë se si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, Myftiu Tërnava me bashkëpunëtorë ka realizuar takime me të gjithë nëpunësit e Bashkësisë Islame në terren (në 28 Këshilla të BI) me qëllim bashkërendimin dhe koordinimin në mes vete për realizim të aktiviteteve fetare në territorin e Republikës së Kosovës.

Tutje Iljazi ka thënë se kryesia e BIK, gjegjësisht Drejtoria Fetaro-Arsimore ka bërë përgatitjet e duhura duke planifikuar aktivitete fetare nga më të ndryshmet si pjesë e një platforme të veçantë

“Duke pasur parasysh se ky muaj përfshinë një periudhë tejet me rëndësi në aspektin e organizimit të jetës fetare në Kosovë dhe mundësisë që të ofron ky muaj për realizim të aktiviteteve të nduarduarshme, me ç ‘rast edhe dalin në pah rezultatet konkrete të punës dhe veprimtarisë së imamëve të institucionit ku bashkërisht veprojmë, Kryesia e BIK, gjegjësisht Drejtoria Fetaro-Arsimore ka bërë përgatitjet e duhura duke planifikuar aktivitete fetare nga më të ndryshmet si pjesë e një platforme të veçantë, pak a shumë e ngjashme me vitet tjera (për shkak të natyrës së pandryshueshme dhe specifikave të vet këtij muaji)”, është shprehur Iljazi.

Ai ka përmendur disa nga aktivitetet që janë realizuar dhe të tjerat që pritet të realizohen janë:

– Xhirimi dhe përgatitja e 30 emisioneve televizive në studion televizive të BIK, me përmbajtje fetare islame të cilat do të emetohen në televizionet publike dhe ato lokale në disa prej komunave të Kosovës.

– Dalja në terren (e ekipit për realizim të aktiviteteve fetare në kuadër të Kryesisë së BIK) në namazin e teravisë dhe mbajtja e ligjëratave më karakter fetar nëpër xhamitë e Kosovës.

– Mbajtja e ligjëratës së ditës së premte – vajzi dhe hutbeja.

– Mbajtja e ligjëratave me gra dhe iftaret me gjininë femërore në disa komuna të Kosovës (realizohet nga Departamenti i Gruas në kuadër të Kryesisë së BIK).

– Mbajtja e ligjëratave me të rinj dhe iftaret me forume të ndryshme rinore në disa komuna të Kosovës (realizohet nga Departamenti i të Rinjve në kuadër të Kryesisë së BIK).

– Gatishmëria e pjesëtarëve të ekipit që të prezentojnë në organizimet e ndryshme të Këshillave (iftare, tribuna, takime me të rinj etj.).

– Shkëmbimi i imamëve në mes të Këshillave të BIK, me rekomandim të Kryesisë.

– Organizimi i programeve të ndryshme me karakter fetar në objekte publike dhe dërgimi i ligjëruesve për ligjërata në tërë Kosovën, me kërkesë të Këshillave.

– Organizimi i shtruarjes së iftareve të Kryesisë në disa qendra regjionale, dhe shtruarja e iftareve nga institucionet e vendit për Kryesinë e BIK.

– Organizimi i faljes së Fitër Bajramit dhe pritjes së mysafirëve në Kryesi./arbresh.info/R.Rexhepi/

Shpërndaje në rrjete sociale