Vezët e opozitës s’e lanë Mustafën të raportojë në Kuvend (Përmbledhje)

20:02 | 22 Shtator 2015
M. A.

Kryeministri Isa Mustafa nuk ka arritur që të raportojë para deputetëve të Kuvendit rreth marrëveshjeve të arritura me Serbinë me 25 gusht. Gatishmërinë e kreut të Qeverisë e ndali opozita, e cila gjuajti me vezë në drejtim të Isa Mustafës, i cili ishte në foltoren e Kuvendit duke folur për marrëveshjet e arritura.

Menjëherë ndërhyri sigurimi i kryeministrit i cili u largua nga salla e Kuvendit, pasi që kryetari i Kuvendit Kadri Veseli urdhëroi sigurimin që të dilte jashtë sallës.

Në anën tjetër, opozita gjuajtjen me vezë e quajti veprim të domosdoshëm për ta ndalur gënjeshtrën e Mustafës.

Me të nisur fjalën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa foli rreth marrëveshjeve të arritura me Serbinë muajin e kaluar në Bruksel.

Kreu i Qeverisë tha se nuk kanë të bëjnë me marrëveshje të reja, por me precizime të veçanta që derivojnë nga marrëveshja e parë e ratifikuar me ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Por, gjatë kësaj kohe opozitarët dëgjoheshin duke kundërshtuar fjalën e kryeministrit, i cili sapo ka theksuar se marrëveshjet janë në harmoni me Kushtetutën, kanë filluar gjuajtjet e me vezë në drejtim të tij.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ndërpreu seancën për një pauzë dhjetë minutëshe, por e cila zgjati me shumë se dy orë, për t’u kthyer sërish në orën 14:00. Pas kësaj ndërprerjeje, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se ishte një reagim i pritur dhe i qëlluar i deputetëve për të dhënë një porosi të nevojshme se nuk mund të ketë aso sjellje në Kosovë.

Mirëpo, edhe pse u paralajmërua se seanca do të vazhdoj në orën 14:00, me t’u kthyer në sallë, deputetët e opozitës dolën tek foltorja e Kuvendit duke bllokuar zhvillimin e seancës dhe raportimin e kryeministrit. Opozita tha se këtë po e bën për të mos e lejuar kreun e Qeverisë që të gënjejë qytetarët e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit u mundua që të diskutojë me udhëheqësit e opozitës për të lejuar mbajtjen e seancës, por përpjekja e tij ishte e kotë, pasi opozita nuk bindej.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se qëllimi i aksionit ka qenë që t’ia bëjnë me dije kryeministrit që qytetarët e Kosovës nuk e durojnë dot një kryeministër i cili në vazhdimësi mashtron qytetarët e Republikës. Ajo tha se nuk mund të lejonin vazhdimin e seancës përderisa në Kosovë është gjendje e jashtëzakonshme.

Edhe pas ndërprerjes prej gjysmë të seancës nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, opozita për herë të tretë nuk lejoi zhvillimin e seancës. Përsëri opozitarët dolën në foltore, ku bllokuan zhvillimin normal të seancës. Kreu i Kuvendit edhe një herë u mundua që të diskutojë me opozitën për të arritur një marrëveshje, por ata nuk bindeshin.

Duke e parë se nuk mund të zhvillohet seanca edhe për herën e tretë për shkak të bllokadës që bëri opozita, kryetari i legjislativit ndërpreu mbledhjen, deri në një datë tjetër kur të vendosë Kryesia.

Pas kësaj pozita i quajti veprimet e opozitës të papranueshme.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha pas mbylljes së seancës se nuk dështoi raportimi i kryeministrit, por dështoi opozita, pasi ia pamundësuan qytetarëve të Kosovës ta dëgjojnë raportimin e kryeministrit, të cilën gjë e kanë kërkuar herën e kaluar. Por, sipas Beqirit, opozita dëshiron dhunë dhe eksese.

Beqiri shtoi se nuk ka se si të vijë edhe një herë kryeministri për të raportuar në Kuvend nëse nuk ka gatishmëri nga ata që e kanë lyp raportimin vazhdimisht. Derisa tha se kryetari i Kuvendit e ka obligim me rregullore për t’i krijuar kushtet për punë.

Edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se me skenat e ndodhura sot në Kuvend nuk pajtohet askush dhe janë të papranueshme.

Grabovci ka ftuar opozitën që të ndalet dhe të mendojë dhe t’i analizojë veprimet e veta që kanë ndodhur sot në Kuvend që ka vepruar në kundërshtim më rregullat e demokracisë dhe gjithsesi edhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës.

Por, krejt ndryshe mendon shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca sipas të cilit qëllimi i opozitës ka qenë që ta detyrojë kryeministrin që ta tërheqë nënshkrimin dhe pozicionimin e tij për Zajednicën.

Për ftesën e kryetarit të Kuvendit për një tryezë me liderët e partive politike, Konjufca tha se nuk është koha e tryezave, pasi që nuk janë të hidhëruar dhe që dikush duhet t’i pajtojë opozitën dhe pozitën.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behgjet Shala tha se veprimi i opozitë ka qenë i pritur. Megjithatë, sipas tij, është interesante që vetë opozita ka kërkuar raportim të kryeministrit, por nuk e lejuan atë të raportojë.

Seanca e radhës pritet të caktohet nga kryesia e Kuvendit, por nuk dihet se kur do të mblidhet për të caktuar datën e mbajtjes së seancës së re.

Shpërndaje në rrjete sociale