Ambasadori i BE-së i bën apel politikës shqiptare

12:52 | 8 Prill 2019
A Z

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca i ka bërë apel qeverisë dhe opozitës të bëjnë kompromis.

Në një deklaratë për gazetarët, pas aktivitetit për sistemin elektronik të deklarimit të pasurisë, Soreca tha se ura e komunikimit ekziston, thjesht ajo duhet gjetur.

“Ne kemi qenë të parët që kemi bërë ftesa për thirrje për dialog. Vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment dhe në çdo takim.

Është momenti për kompromis. Kompromisi do të thotë që Qeveria dhe Opozita takohen në mesin e urës. Unë mendoj se ura ekziston thjesht duhet gjendur”, tha ai.

Soreca theksoi se korrupsioni ka ndikim në administratë, duke bërë që kostoja për shoqërinë të jetë e madhe.

“Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.

Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë.

Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte.

Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE. Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët.

Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE”, tha ndër të tjera Soreca.

Shpërndaje në rrjete sociale