Derisa Kosova vazhdon të ketë këtë klasë politike dhe udhëheqje që ka tash e disa vite, nuk pritet që të ketë vullnet dhe konsensus politik për të bërë një reformë zgjedhore që konsiderohet mjaft e rëndësishme për sistemin zgjedhor në vend, shkruan arbresh.info.
Janë bërë tetë vite që nga nisma e bisedimeve për të krijuar një Reformë Zgjedhore në vend, por janë vetë partitë politike që kanë stopuar këtë proces për interesa dhe kalkulime të pastra elektorale dhe politike.
Qëndrimi i gjatë një klase pothuajse të njëjtë në pushtet, siç është Partia Demokratike e Kosovës, sipas analisti politik Mazllum Baraliu, tregon se ky sistem aktual i zgjedhjeve iu konvenon kësaj udhëheqje dhe nuk kanë gatishmëri ta ndryshojnë atë.
“Është një përpjekje që është e vetmja për të bërë një hap përpara për një reformë zgjedhore që nuk është bërë asnjëherë për shkak të administratës së UNMIK-ut si fillim të qeverisës së Kosovës e pastaj për shkaqe të mungesës së vullnetit politik dhe gatishmërisë së subjekteve politike dhe pushteti. Ky legjislacion zgjedhorë ju konvenon siç duhet mjaft mirë lidershipit të klasës politike në Kosovë dhe nuk kanë gatishmëri ta ndryshojnë , kjo mund të konfirmohet nga fakti që prej pasluftës pothuajse shumë pak kemi lëvizje të udhëheqjeve politike të partive politike në Kosovë dhe ky sistem çfarë e kemi proporcional me listat e hapura i përgjigjet klasës politike dhe si e tillë nuk dëshiron ta ndryshoj”, ka thënë Baraliu në një prononcim për portalin Arbresh.info.
Në këtë paralizë totale në vend dhe më këtë klasë politike, Baraliu nuk pret që të bëhet ndonjë reformë elektorale.
“Për reformë elektorale veçanërisht në këtë kohë që aktualisht e kemi të një paralize totale të një minorance të qeverisjes dhe mungesës së konsensualitetit, diferencat dhe qëndrimet e ndryshme të koalicionit qeverisës dhe klasës politike si pozitë ashtu edhe opozitë nuk pritet që të bëhet ndonjë reformë elektorale”, ka thënë mes tjerash ai.
Ky proces, fillet e së cilit i gjejmë qysh në vitin 2011, nuk është përfunduar asnjëherë për shkak se ekzistojnë dallime të theksuara edhe në qëndrimet e subjekteve politike lidhur me atë se çfarë natyre duhet të ketë reforma, politike dhe përmbajtjesore apo vetëm teknike, që si element ndikon në zvarritjen e mëtutjeshme të procesit. Diferenca konceptuale ekzistojnë edhe lidhur me elemente të ndryshme të reformës, si zonat, listat zgjedhore, pragu dhe të tjera.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e sheh këtë proces si zvarritje e vazhdueshme e spektrit politik dhe i përdorur për nevojat e tyre për vëmendje.
“Reforma zgjedhore paraqet një nga proceset me një rëndësi të konsiderueshme, e cila është lënë në harresë nga spektri politik. Në fakt, pothuajse është shndërruar në traditë përmendja e kësaj teme vetëm para fillimit të cikleve zgjedhore, si taktikë për humbjen e vëmendjes qytetare nga temat tjera”, ka thënë ai për portalin Arbresh.info.
Tanimë, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka iniciuar procedurën për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duke synuar ndryshimin e pjesshëm të këtij ligji, përkatësisht të pjesës së votimit nga jashtë.
Cakolli tregon se është krijuar një grup punues në kuadër të komisionit mirëpo sipas tij aktualisht nuk ka ndonjë zhvillim për shkak të refuzimit të disa partive për tu bërë pjesë e procesit, sidomos partive në pushtet.
“KDI gjatë vitit të kaluar ka zhvilluar një seri të aktiviteteve që ndërlidhen me reformën zgjedhore, duke përfshirë takime me subjekte politike, përfaqësues të institucioneve që merren me organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, si dhe akterë tjerë, me të cilët është tentuar që të zhvillohet një debat përmbajtësor për këtë temë, marrë parasysh rëndësinë esenciale të vet procesit, ka thënë ai.
I zëshëm për të pasur një Reformë Zgjedhore ishte presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili në vitin 2016 nisi bisedimet për këtë çështje me subjektet politike dhe u formuan dy komisione, por, ky rrugëtim ka ngecur dhe që atëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap për të quar përpara këtë proces./Arbresh.info/
KFOR-i gjerman patrullon në veri
Komunat në veri votojnë sërish për t’u tërhequr nga Asociaci...
Kurti priti në takim Schnetzer, diskutuan për zhvillimet akt...
Kërkohet paraburgim për 4 komisionerë dhe një kryesues të KK...
Normalizohet qarkullimi i mauneve në kufirin me Serbinë, pas...
Chiellini paralajmëron Juventusin për duelin me Galatasaray