PD gati të lërë mandatet, çfarë do të ndodhë më pas me opozitën

09:39 | 18 Shkurt 2019
A Z

Ditën e djeshme lider i PD-së Lulzim Basha foli për atë që prej kohësh shumë demokratë e kërkonin në hijen e dyerve të selisë blu, djegien e mandateve të deputetëve.
Këtë të hënë pritet që kryetari i opozitës të mbledhë në diskutim grupin e PD-së pikërisht për këtë çështje, për të hedhur në tavolinën e diskutimit, fillimisht me demokratët, mundësinë për të hequr dorë nga mandatet e deputetit.

Por çfarë ndodh ditën e nesërme, nëse PD dhe deputetët e tjerë të opozitës dorëzojnë mandatet. Sipas ligjit, format e mbarimit të mandatit variojnë nga mungesa prej 6 muajsh në parlament deri tek heqja dorë me vullnet i mandateve.

Por me dorëzimin e mandateve të deputetëve, atyre të cilëve u kalon pushteti i deputetit janë ata persona që ndodhen në listën e kandidatëve për deputet. Deri këtu Basha vetë nuk ka folur me detaje ditën e djeshme, pasi mandati i deputetit nga ana e kandidatëve mund të vijojë si normalisht, duke i shkaktuar një “humbje” në lëvizjen ekstreme të opozitarëve. Nuk mund të thuhet me saktësi deri më sot, nëse atyre që do t’u kalojë mandati i deputetit pas heqjes dorë të opozitarëve, do t’u lindë vullneti për të qëndruar në parlament, apo në vendin që sipas Bashës është kthyer në një fasadë të shëmtuar të maxhorancës.

Nëse ndodh që deputetët e rinj të mos vendosin të heqin dorë nga mandati, atëherë të gjitha karriget në kampin opozitar zëvendësohen me emra të dalë nga PD, pasi në zgjedhjet e 2017, selia blu inkorporoi shumicën e partive të vogla politike në listat e saj të kandidatëve. Deri më tani ende nuk është folur apo mbajtur qëndrim nga ana e partive të vogla aleate, përfshi dhe partinë tjetër të madhe LSI, për të mirat dhe të këqijat e kësaj lëvizje.

 

Shpërndaje në rrjete sociale