Fondit për sigurimet shëndetësore, ligji i të cili është nxjerrë me 2014 ndërsa rregullorja për themelimin e këshillit përgatitor të Fondit me 2016, pritet t’i ndahet këtë vit për herë të parë buxheti. Ky buxhet është paraparë të jetë rreth 37 milion euro për këtë vit.
Në një përgjigje për portalin arbresh.info, nga zyra për media në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se rreth 80 milione euro (më saktësisht 82 milione euro) është buxheti i paraparë i MSh-së dhe Fondit së bashku.
“Prej kësaj shume, buxhet i Fondit pritet të jetë rreth 37 milione euro për 2019. Mjetet e Fondit janë mjete të ndara nga Buxheti i Kosovës për shëndetësinë, jo mjete të mbledhura, sepse mbledhja e kontributeve (premiumeve) nuk ka filluar ende”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësor me statusin e personit juridik me të drejta, obligime, përgjegjësi dhe autorizime të veçanta për zbatim të ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Buxheti i këtij institucioni është i dedikuar për: programin e Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore publike, sigurimin e barnave dhe materialit shpenzues për SHSKUK-në (QKUK dhe spitalet e përgjithshme në vend), stimulimin e performancës së profesionistëve të kujdesit shëndetësor, shërbimet administrative si pagat e të punësuarve në Fond, shpenzimet për mallra dhe shërbime, ngritje të kapaciteteve të Fondit, përgatitje për fillimin e implementimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, etj”, theksojnë në MSh.
Anëtarja e Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Time Kadrijaj theksoi se ky buxhet i cili pritet të ndahet jep një shpresë për fillimin e implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.
“Qeveria mirë që e ka ndarë këtë shumë për Fondin për Sigurime Shëndetësore sepse kjo na jep shpresë që do të filloj të implementohet Ligji për sigurimet shëndetësore, që në fakt ne edhe si profesionist themi se me fillimin e implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore do të ketë edhe përmirësim në sektorin e Shëndetësisë”, thotë Kadriaj për portalin arbresh.info.
Sipas saj ky fond është i mjaftueshëm për fillim.
“Ky fond është për të filluar punën që fondi të filloj të mblidhet. Në momentin që përgatiten kushtet, njerëzit duhet të fillojnë ta paguajnë këtë fond ashtu siç është paraparë me ligj dhe në momentin që paguan, qytetarët duhet t’i marrin edhe shërbimet. Do të monitorohet edhe ky fond, por është mirë që MSh të përafroj që të filloj të implementohet Ligji për Sigurime shëndetësor”, ka thënë ajo duke shtuar se do të kërkohet llogari nga Bordi i fondit për sigurime shëndetësore, lidhur me këtë fond.
“Kuvendi ka qenë në pushim ende nuk kemi filluar por në sesionet e radhës do i kërkojmë llogari. Ne e kemi edhe të drejtën që t’i ftojmë në komision parlamentar kryetarin e bordit të sigurimeve shëndetësore bashkë me bashkëpunëtorë që ta shohim cili është plani dhe veprimi i këtij fondi në mënyrë që të shohim nga do të shpenzohet ky buxhet”, theksoi ajo.
Ish ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani në një prononcim për arbresh.info ka thënë se ndarja e mjeteve shtesë është lajm i mirë por se sipas tij sikur kjo të përcillej edhe me një qasje serioze dhe menaxhim të mirë të buxhetit shtesë dhe atij aktual.
“Viti i fundit ka dëshmuar se ka dështim në menaxhimin e buxhetit përkundër shtesës prej dhjetë milionëve dhe uljes së çmimeve në tregun farmaceutik. Ridestinimi i shumë milionëve dhe shkuarja në suficit e dy milionëve nga buxheti për barna dhe material medicinal në kohën e mungesave të mëdha në barna, është dëshmia e dështimit në shpenzimin e buxhetit. Unë pres probleme shtese në furnizim me barna si me sasi si në cilësi”, ka thënë ai.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore zbaton politikat për përmirësimin e gjendjes shëndetësore dhe mbrojtjes nga rreziku financiar i popullatës, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, siguron zbatimin e të drejtave të siguruarve në pajtim me ligjin, organizon administratë profesionale që siguron zbatimin efikas dhe efektiv të të drejtave dhe obligimeve nga sigurimi shëndetësor i obligueshëm, propozon për miratim në Qeveri, premiumet, bashkë-pagesat, bashkë-sigurimin, pagesat shtesë, dhe mjetet e tjera financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm, siguron grumbullimin efikas dhe transparent të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm, dhe rregullon çështjet e tjera përkitazi me sigurimin shëndetësor në pajtim me aktet ligjore në fuqi./V.Berisha/arbresh.info/
Ali Ahmeti për vdekjen e Dacit: Kosova nuk ka humbur vetëm n...
Një vit me arritje të jashtëzakonshme e plot histori – Kombë...
“Mbarë shqiptaria do ta kujtojnë profesorin për kontri...
AUV asgjëson 19200 kg mish pule të importuar nga Polonia
Disa lagje në Prishtinë mbesin pa ujë
Një i vrarë dhe disa të plagosur në një sulm vetëvrasës me b...