Ende pa zgjidhje konkrete çështja e personave të pagjetur

15:12 | 8 Shtator 2015
M. A.

Çështja e personave të pagjetur mbetet ende një temë e pazgjidhur në Kosovë. Informatat më të mëdha për 1655 personat e pagjetur gjenden në Serbi dhe qeveria e Serbisë ka rezistuar të ketë bashkëpunim me institucionet në Kosovë lidhur me këtë. Kështu është thënë në një konferencë të organizuar sot për personat e pagjetur në Kosovë, transmeton arbresh.info

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahajaga ka thënë se është shumë e vështirë ta besojmë çështjen e personave të pagjetur si një trashëgimi e rëndë e luftës dhe është më e padrejtë që edhe 15 vjet pas, të vazhdojmë të kërkojmë vendndodhjen e të pagjeturve.

“Ka pasur shumë përpjekje dhe iniciativa për të zbardhur fatin e të pagjeturve, edhe zyra ime ka qenë pjesëmarrëse e këtyre iniciativave, mirëpo nuk kanë dhënë rezultate dhe ende nuk ka të gjetur”, është shprehur presidentja në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve.

Ajo ka kërkuar që sa më shpejtë të zgjidhet kjo çështje bashkërisht duke mos harruar  të kaluarën.

Samuel Zhbogar, Kryesues i zyrës për BE në Kosovë, tha se të dy qeveritë duhet të jenë më serioze në këtë aspekt sepse është i dhimbshëm fakti se ne nuk e dimë të vërtetën dhe se në vitin 2015 është bllokuar procesi i shkëmbimit të informatave për personat e pagjetur.

“ Arsyet janë politike. Ne së bashku nuk kemi bërë sa duhet por jemi të zotuar që ti përkrahim përpjekjet e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që të punojmë më shumë mes dy qeverive dhe shoqëritë civile”  është shprehur Zhbogar.

“ Javën e kaluar kemi parë diku rreth 1600 karrige të zbrazura, mirëpo ky është vetëm një përkushtim i vogël për të gjetur përgjigjet në pyetjet se ku janë të dashurit tanë”, ka thënë mes tjerash Zhbogar, përcjell arbresh.info.

Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi  ka thënë së informatat më të mëdha për personat e pagjetur gjenden në Serbi dhe se qeveria serbe ka rezistuar të bashkëpunojë me institucionet vendëse.

“Deri më tani kemi ndërtuar  një infrastrukturë për fatin e personave të pagjetur dhe tanimë kemi një ligj për këtë. Kemi garantuar familjet e të pagjeturve që ata të kenë të drejtë të dinë për fatin e tyre. Kemi regjistruar një regjistër qendror që është një hap i rëndësishëm dhe kjo është që të kemi një databazë për informim dhe që të lehtësohet kërkimi i tyre”, tha Kuçi.

Sipas Kuçit, Qeveria e Kosovës ka tentuar katër vite radhazi ti bindë homologët serbë që ti hapin disa varre por këtu kemi hasur në rezistencë.

Të pranishme ishin edhe Presidentja e Finlandës Tajra Halonen dhe ambasadorja  e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, të cilat shprehën shqetësimin e tyre për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë./M.Avdimetaj/Arbresh.info

Personat e Zhdukur (1)

 

Shpërndaje në rrjete sociale