Punëtorët e arsimit shqip të viteve 90-të do të përfitojnë pension shtesë

12:17 | 17 Dhjetor 2018
A Z

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, me 6 vota për, 2 abstenim e ka miratuar Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës të viteve 1990-të.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi ka thënë se kërkohet të ndryshohet fjala pension bazë mbi fjalën pension realizues.

Anëtarja Teuta Haxhiu nga AAK ka thënë se mbi atë pension që ata e marrin, kjo është shtesë.

“Nuk e kam të qartë, pse duan ta ndryshojnë këtë pensioni bazë. Çfarë ka dallim”, ka thënë ajo, raporton arbresh.info.

Deputetët kanë kërkuar që të thirren nga Ministria që të sqarohet pensioni bazë dhe pensioni realizues.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Mevlude Shamolli, ka thënë që duhet hequr pensioni bazë sepse janë disa pensione por të lihet ai që përfiton.

“Janë disa pensione, e këtu pensioni bazë njihet si ai i moshës. Ne kemi thënë që ky pensioni bazë mund të nënkuptohet gabim për këtë kemi kërkuar që ta jetë pensioni që realizon”, ka thënë ajo.

Deputetja Teuta Haxhiu ka thënë se Ministria e Punës i rregullon se kush përfiton në pensione.

“Nëse një familje e dëshmorit e ka një pension atëherë mbi atë pension e përfiton shtesën. Ne kemi thënë që ky është pension shtesë. Për këtë them nëse ndryshojmë diçka frikësohem që ajo familje s’do ta marr këtë shtesë”, ka thënë ajo.

Kryetari i komisionit Ismajl Kurteshi ka thënë në këtë nen është cekur se mbi pensionin bazë e merre shtesën.

“Do të thotë që fjala ‘bazë’ të realizohet me ‘që realizon'”, ka thënë Kurteshi.

Ky komision ka shtyrë takimin me Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), pasi që kanë pasur udhëtim.

Është vendosur që te premten në orën 11:00 të realizohet ky takim./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale