​Priten masa ligjore për zyrtarin e arrestuar në Japoni

13:34 | 7 Shtator 2015
M. A.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik është njoftuar nga Ambasada e Kosovës në Japoni, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për arrestimin zyrtarit Ramadan Sejdiu, nga Stacioni i Policisë së Fukuokes, rajon ky në jug të Japonisë.

Mirëpo, njoftimi që kanë marrë institucionet e Kosovës është ende i mangët dhe mbi bazën e tij nuk mund të merret vendim për suspendimin e tij.

“Na është thënë se ambasada ka kërkuar njoftim me shkrim për këtë rast, por Policia e Fukuokes nuk ka lëshuar ende asnjë njoftim me shkrim për institucionet e Kosovës. Prandaj, duke qenë se ende as Ambasada e Kosovës në Japoni dhe as Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nuk kanë pranuar asnjë njoftim zyrtar mbi arsyeshmërinë e ndaljes apo vendim të autoriteteve japoneze, MZHE është shumë e kufizuar dhe nuk mund të ndërmarr ndonjë veprim apo masë ndaj zyrtarit në fjalë”, thotë Zyra për Komunikim me Publikun në MZHE.

Sipas saj, sapo të kenë informacione zyrtare mbi arsyeshmërinë e arrestimit, MZHE do t’i ndërmerr masat ligjore adekuate, që parashihen me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.
“Sipas këtij ligji, vetëm me inicimin e procedurave penale në mënyrë zyrtare nga autoritetet kompetente mund të ndërmerren masat e pezullimit apo edhe shkarkimit, në rast se vërtetohet fajësia e tij”, sqaron MZHE. /Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale