Kosova duhet të konsultohet me serbët për ushtrinë, thotë KFOR-i

10:11 | 11 Dhjetor 2018
M. A.

Për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, Kosova duhet të marr miratimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë, duke përfshirë edhe qëndrimin e Listës Serbe të cilët janë deklaruar kundër formimin të Ushtrisë.

Në kohën kur Kosova është në prag të fillimit të një epoke të re ushtarake, aleanca ushtarake më e fuqishme në botë NATO është e gatshme të mbështet zhvillimin e FSK-së por nën mandatin e saj aktual.

Zëdhënësi i KFOR-it Vincenzo Grasso në një prononcim për arbresh.info ka thënë se NATO mbështet zhvillimin e FSK-së nën mandatin e saj aktual. Por sipas tij, këto ndryshime duhet të bëhen në pajtim me Listën Serbe dhe komunitetet tjera.

“Pozicioni i NATO-s është i qartë: NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nën mandatin e saj aktual. Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe një burim stabiliteti rajonal”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it.

Për çdo ndryshim që lidhet me mandatin e FSK-së, Kosova duhet të konsultohet edhe me aleatët e NATO-s, thotë Vincenzo.

“Është e rëndësishme që çdo iniciativë në lidhje me mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s. NATO mbetet e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, përmes KFOR-it, operacionit tonë më të gjatë” deklaroi ai.

Me rastin e ndryshimit të mandatit të FSK-së, Këshilli Veri-Atlantik do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë.

“Politika e NATO-s është e qëndrueshme dhe ky është thelbi i qëndrimit tonë: nëse duhet të zhvillohet mandati i FSK-së, Këshilli Veri-Atlantik do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Grasso.

Më 14 dhjetor me fillim prej orës 10:00, do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës për transformimin e FSK-së.

Në këtë seancë pikë e rendit të ditës është: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale