Mitrovicë, diskutohet për “Ekstremizmin e dhunshëm, parandalimin dhe kundërpërgjigjja”

19:10 | 1 Shtator 2015
M. A.

Ekstremizmi i dhunshëm si fenomen në botë nuk është një kërcënim i ri, ndërsa tek ne po, dhe si i tillë duhet të përballemi me të. Ky ekstremizëm nuk paraqet rrezik të lartë në Kosovë, mirëpo nëse nuk adresohet në mënyrën e duhur, mund të bëhet kritik për sigurinë nacionale, andaj kërkon një qasje të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse me qëllim të adresimit të tij.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë diskutimit me temën “Ekstremizmi i dhunshëm, parandalimi dhe kundërpërgjigjja ndaj përhapjes së ideve ekstremiste në Kosovë”, që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Skender Perteshi nga QKSS-ja, tha se Kosova po ballafaqohet me shumë sfida të sigurisë nacionale të sigurisë, duke filluar nga stabiliteti i përgjithshëm politik dhe ekonomik, papunësia, sundimi i ligjit, korrupsioni, si dhe ekstremizmi.

Sipas tij, grupet ekstremiste si terren të përshtatshëm i përdorin vendet e pazhvilluara ekonomikisht dhe pa stabilitet politik.

 

“Zakonisht ekstremizmi i dhunshëm apo grupet ekstremiste si terren të përshtatshëm i përdorin vendet ku nuk kanë zhvillim të duhur ekonomik, nuk kanë stabilitet të duhur politik, dhe vendet ku perspektiva e qytetarëve të tyre është në dyshim… ne si shtet kemi pak përvojë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme të cilat sado pak kujdesen në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe nivelin e edukimit, që pak a shumë qytetarët tonë të mos ndikohen nga rrymat dhe mos të bëhen viktima të propagandave të ndryshme nga grupe ekstremistësh të cilët përfundojnë në luftërat e Sirisë dhe Irakut”, tha Perteshi.

Ai shtoi se shkaktarët janë nga më të ndryshmit, duke filluar bindjet e gabuara në emër të fesë, papunësia, mirëqenia jo e mirë ekonomike, niveli i ulët i edukimit, izolimi, sepse Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes në BE e kështu me radhë.

Kryeimami i Bashkësis ë Islame në Mitrovicës, Rexhep Lushta, potencoi si të keqe të madhe faktin që sa herë përmendet ekstremizmi, radikalizmi, terrorizmi, në mendjet e njerëzve gjithmonë shkon islami, përkatësisht feja.

Ai tha se ky është gabimi më i madh për shkak se ekstremizëm dhe radikalizëm nuk ka vetëm në islam, por kjo i përfshin të gjitha rangjet e shoqërisë njerëzore, të gjitha përkatësitë etnike dhe fetare.

 

Kenan Beqiri nga shoqëria civile tha se gjithçka është e rrezikshme kur është e panjohur.

Ai u shpreh i bindur se kjo nuk vlen vetëm për Kosovën, por për shumicën e vendeve.

Sipas tij, është logjike sikur Bashkësia Islame në këtë rast, institucionet që merren me çështje të sigurisë, por edhe institucionet tjera, qoftë të nivelit lokal apo qendror, të kenë një bashkërendim të punëve më të mirë.

 

“Unë nuk kisha parë asgjë të keqe sikur Bashkësia Islame, institucionet vendore, institucionet e arsimit të bashkërendojnë punët…që të shkohet edhe nëpër shkolla, pse jo, këto janë tema të cilat neve po na ndodhin dhe sigurisht se nuk është në interesin tonë që ne të presim dhe dikush tjetër t’i kryejë këto obligime të cilat ne i kemi si shoqëri”, sqaroi Beqiri.

Shpërndaje në rrjete sociale