Vizita e Kurz në Kosovë, që të duket sikur korrigjimi i kufijve ka mbështetje

18:25 | 6 Nëntor 2018
A Z

Kancelari austriak Sebastian Kurz ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë ku është takuar me presidentin Hashim Thaçin dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, kancelari Kurz, është shprehur skeptik sa i përket transformimit të ushtrisë dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurz gjithashtu tha se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përmbyllja e këtij dialogu me një marrëveshje është e duhura për Ballkanin Perëndimor.

Por, Kurz nuk pati një qëndrim të qartë edhe për kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, e për këtë flet njohësi i rrethanave politike në vend.

Në një prononcim për arbresh.info, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, tha se kancelari i Austrisë ka thënë atë për të cilën i është bërë ftesa që të duket se marrëveshja për korrigjim të kufijve po ka përkrahje.

“Vizita e kancelarit austriak Kurz në Kosovë është bërë një ditë pasi ai ka vizituar Beogradin. Ka një transversale të demokracive iliberale që është duke përshkruar rajonin. Nga Kurz, Orban në Hungari, Vucic në Serbi, Thaçi në Kosovë dhe Rama në Shqipëri. Të gjitha janë duke vepruar në bazë të një këshille dhe shkollës së njëjtë. Kjo lidhje iliberale është duke bërë gjithçka për të mbetur në pushtet dhe ka një mbështetje ndaj njeri tjetrit dhe unë besoj që këtu ka interesa ekonomike dhe asgjë më shumë. Kurz ka thënë atë për të cilën i është bërë ftesa që  para takimit në Paris të duket se marrëveshja për korrigjim kufijsh po ka përkrahje. Kjo është një situatë artificiale që Thaçi po e krijon për të manipuluar me njerëz qe mund të mos jenë të informuar. Duhet kuptuar që pesha e Kurz krahasuar me Merkel është neglizhencë”, tha ai.

Tutje ai mendon se presidenti Thaçi nuk e ka përkrahjen as të Parlamentit as të Ekzekutivit për korrigjim të kufijve.

“Gjermania ka qenë eksplicite se nuk do ta pranojë korrigjimin e kufijve dhe qëndrimi i SHBA-ve është se nuk mund të ketë marrëveshje pa përfshirjen e plotë të parlamenteve. Është e qartë që Thaçi nuk e ka përkrahjen as te parlamenti e as të ekzekutivit për korrigjim të kufijve. Tani qe propozim letra e Robert Cooper është bërë publike aty nuk flitet fare për Luginën që do të thotë se Thaçi po përgatitë një farsë tjetër për manipulim në rast të dështimit të plotë dhe që si zakonisht ta hedhë fajin mbi dikën tjetër. Ai ka përgatitur dhe ka pranuar Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe tani deklarohet se kinse ai nuk e ka pranuar”, u shpreh Abazi.

Ai gjithashtu hamendëson pse po i bënë të gjitha këto Thaçi, sipas tij ose nuk ka ndonjë rrugëdalje tjetër ose duhet të bëjë kompromise për të shpëtuar veten.

“E njëjta gjë me Gjykatën Speciale, ai ju kishte dredhur dorën deputeteve për miratimin saj dhe mandej disa muaj me vone deshi që ta zhbënte atë. Këto lojëra janë të njëjtat tani, ai ka folur për liberalizim të vizave pas miratimit të demarkacionit me Malin e ZI dhe kjo gjë nuk ka ndodhur e as qe po ndodhë. Gënjeshtrat e radhës janë për marrëveshje me Serbinë dhe njohjet nga pese vendet dhe ulësja ne OKB. Të gjitha këto janë një tundim maskimi para dështimit të madh dhe fiaskos politike që do të paëojë. Shtrohet pyetja pse po i bën të gjitha këto- Thaçi nuk ka rrugëdalje tjetër ose duhet te beje kompromise për të shpëtuar veten ose duhet bere aq shumë të këqija që të destabilizohet vendi e në atë situatë ai tenton të vonojë lajmin e keq për dështimin e madh”, përfundoi Abazi./A.Zeka/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale