Ta pastrojmë Kosovën: Heq 50 thasë mbeturina nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, për herë të tretë

18:14 | 5 Nëntor 2018
A Z

Ta pastrojmë Kosovën: Heq 50 thasë mbeturina nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, për herë të tretë

Kampanja “Ta Pastrojmë Kosovën”, përmes një njoftimi për media bën me dije se sot për të tretën herë është mbajtur aksion pastrimi në Kampusin Universitar “Hasan Prishtina”, nga ku u larguan mbi 50 thasë me mbeturina.

Aksioni i sotëm u realizua në bashkëpunim me studentët e Fakultetit të Edukatës Fizike dhe profesorin Bylbyl Sokolin.

“Vullnetarë të Let’s Do It Kosova dhe studentët filluan nga ora 08:00 aksionin përreth hapësirave të Kampusit, por për dallim nga aksionet e kaluara kjo hapësirë nuk kishte nevojë për intervenime të mëdha, pasi ishte mirëmbajtur. Let’s Do It Kosova falënderon stafin dhe studentët e Universitetit të Prishtinës për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë për mirëmbajtjen e kësaj hapësire të frekuentuar nga studentët”, thuhet në njoftimin për media, përcjell Koha.net. “Andaj, i inkurajojmë që të vazhdojnë me mirëmbajtjen e kësaj hapësire, në mënyrë që të mos krijohet nevoja e organizimit të sërishëm të aksioneve të pastrimit”, ka thënë më tej.

Let’s Do It Kosova ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aksionet e pastrimit dhe aktivitete të tjera vetëdijesuese për rëndësinë e mirëmbajtjes së mjedisit.

Deri më tani në tërë Kosovën janë pastruar rreth 400 deponi ilegale të mbeturinave.

Javën që shkoi kanë filluar edhe trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor, që synojnë rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor, thuhet në fund të njoftimit.

Shpërndaje në rrjete sociale