Shoqatat që përfaqësojnë familjarët e personave të zhdukur, këtë gjysmë viti e cilësojnë si të dështuar sa i përket procesit për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për ta, ky vit është i papranueshëm dhe është punuar fare pak në këtë drejtim. Për disa, problemi po qëndron tek mos-presioni i ndërkombëtarëve mbi Serbinë, e disa e fajësojnë vet Komisionin Qeveritar për Persona të Pagjetur, me arsyetimin se këtij të fundit i mungojnë ekspertë që do të mund të bënin më shumë drejt ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.
Udhëheqësi i Shoqatës për hulumtimin e fatit të Personave të Pagjetur në Komunën e Prishtinës, Haki Kosumi, thotë se me gjithë premtimet e mëdha që janë bërë, ky vit po del të jetë i dështuar sa i përket gjetjes së informacioneve për njerëzit që Kosova po i kërkon tash e 16 vjet.
“Konsideroj se përkundër përpjekjeve, përkundër premtimeve të shumta, viti 2015 ka qenë një vit i pa-pranueshëm, vit i dështuar, i procesit të gjetjes së informacioneve për njerëzit të cilët po i kërkojmë tash e 16 vite. Familjarët vërtetë janë shumë të dëshpëruar, të zhgënjyer dhe nuk e di, nuk iu ka mbet as forcë të bëjnë kërkesa më para qeveritarëve tanë, dhe të adresojnë kërkesa para faktorit ndërkombëtar të cilët kanë përgjegjësi , kanë dhënë premtime dhe kanë obligim të bëjnë më shumë për këtë çështje”, thotë ai.
Për rezultatet e këtij gjysmë viti në këtë proces, Kosumi, fajin e hedh tek Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, për të cilin thotë se i mungojnë ekspertë.
Vit të mbrapshtë e quan edhe përfaqësuesi i familjeve te të zhdukurve, Bajram Qerkinaj. Për këtë, ai gishtin e drejton tek vendorët e ndërkombëtarët.
Qerkinaj, thotë se përmirësime nuk do të ketë nëse familjarët vazhdojnë të heshtin dhe mos të bëjnë presion.
Ndërsa, Jahja Bejta, drejtor i shoqatës “Ngritja e zërit”, shoqatë kjo që mirret e kompensimin e dëmeve të luftës por që është pjesë e këshillit koordinues të asociacionit të familjarëve te të zhdukurve, thotë se procesi për zbardhjen e fatit te të zhdukurve po zvarritet për shkak të mungesës së vullnetit të Serbisë.
Përkundër vitit 2014 ku pati një varg aktivitetesh gërmuese në 19 lokacione në Kosovë dhe 3 në Serbi, nën dyshimin për gjetjen e varrezave masive, sivjet nuk ishte një vit i tillë.
Në pjesën e parë të këtij viti, pati dy aktivitete gërmuese. Një ishte konfirmim i identitetit. Aktivitetet ri-nisin në Mitrovicë, por që u ndërprenë po atë ditë për shkak të keqësimit të gjendjes së njërit nga punëtorët. Atyre u mungonin pajisjet e duhura për të gërmuar në vendet e thella.
Gërmimet vazhduan në Ranillug të Kamenicës, lokacion ky që rezultoi me mos-gjetje. Pjesët më të vështira për gërmim po mbesin ato me shumicë serbe.
Megjithatë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë se aktivitetet gërmuese të radhës pritet të bëhen në veri të Mitrovicës.
E familjarët e personave të pagjetur, nuk u hiqet mendimi se është bërë pak në ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre.
16 vjet pas luftës, në Kosovë vazhdojnë të mbesin të zhdukur mbi 1600 persona, të cilët u vranë, e u zhdukën pastaj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Banka Zhvillimore po bëhet”, Hekuran Murati nënshkruan një ...
Sot në Tiranë protestohet kundër projektit të Zvërnecit, Ram...
Arrestohen tre persona për vjedhje të rënda në Prishtinë
Japonia fillon heqjen e karburantit bërthamor nga reaktori i...
Shoferët me lehtësira të reja, hyn në fuqi udhëzimi për CKP-...
Certifikata e Origjinës “Made in Kosova” njihet ndërkombëtar...