Në Uashington, po fillon një fazë e re në hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller pasi ish-menaxheri i fushatës së presidentit Donald Trump, Paul Manafort, deklaroi se është fajtor për dy akuza për krime.
Manafort ra dakord të bashkëpunojë me prokurorët për lidhjet e dyshuara mes Moskës dhe rrethit të brendshëm të kandidatit të atëhershëm Trump – që mund të ketë ndikuar në garën presidenciale 2016.
Paul Manafort ishte në qendër të fushatës për zgjedhjen e presidentit Trump dhe kishte qasje në informacionet e tij konfidenciale, komunikimet, shënimet dhe mbledhjet me dyer të mbyllura. Ai ishte i pranishëm në një takim të vitit 2016 mes djalit të kandidatit Trump dhe një avokateje ruse, e cila premtoi materiale negative për rivalen demokrate Hillari Klinton.
“Bëri gjënë e duhur, është një zgjedhje e zgjuar”, thotë Ken Starr i cili drejtoi hetimin e çështjes Whitewater të ish-Presidentit Bill Klinton në vitet 1990.
Duke nënshkruar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, Manafort përballet me dënime për vetëm dy nga tetë krimet financiare për të cilat ai ishte dënuar muajin e kaluar dhe shmang një gjyq të dytë. Marrëveshja mund të shfuqizohet nëse Manafort mban informacione ose kapet duke gënjyer.
“Është një ditë e vështirë për zotin Manafort, por ai ka pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij”, tha Kevin Downing, avokati i zotit Manafort.
Trump, i cili e quajti Manafortin një “njeri të guximshëm” pas dënimit të tij, të dielën shkroi në Twitter: “Lufta e Gjuetisë së Muellerit vazhdon në kërkim të një krimi. Nuk ka patur asnjë bashkëpunim me Rusinë. ”
Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thekson se krimet e zotit Manafort janë për periudhën para fushatës së 2016-s dhe nuk përfshijnë presidentin Trump.
Çfarë mund të mësojë Muelleri nga Manaforti?
“Një marrëveshje e tillë arrihet nëse prokurorët janë të sigurt se do të nxjerrin informacion mbi objektiva më të rëndësishëm të hetimit. Kush është mbi Paul Manafortin, i cili ishte kreu i fushatës Trump? … Ndoshta, përfundimisht, presidenti”, thotë Norman Eisen, jurist për etikën në administratën e ish-Presidentit Obama.
Sido që të jetë, disa shohin dritë në fund të një tuneli të gjatë..
“Kjo është shumë e dobishme, mendoj për popullin amerikan. E di që vendi është i ndarë. Por ne duhet të kërkojmë të vërtetën. Le të nxjerrim faktet … Dhe unë mendoj se Mueller është në një situatë tani për të na ndihmuar ta bëjmë këtë”, thotë zoti Starr.
Hetimi i Prokurorit të Posaçëm filloi në maj të vitit të kaluar dhe mund të zgjatet për shumë muaj të tjerë.
Ndez zjarrin, marrin flakë pesë vetura në Prishtinë
Një grua dërgohet pa shenja jete në spitalin e Gjakovës, pol...
Dëmtohet nga plumbi dritarja e shtëpisë së shëndetit në Isto...
Dalin detaje nga kërkesat e tmerrshme të Epstein ndaj njerëz...
Publikohen mijëra dokumente të Epstein, përfshihen Clinton e...
Anthony Joshua e mban premtimin dhe e mposht me nokaut Jake ...