Ferizaj vlerësohet të ketë situatë të qetë të sigurisë

21:47 | 21 Gusht 2015
M. A.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) konstatoi sot se siguria në komunën e Ferizajt muajve të fundit ka shënuar rrjedha të qeta, pa prishje të rënda të rendit publik dhe me ulje të shkallës së kriminalitetit.

Zyrtari i policisë së Ferizajt, Qazim Reka, pohoi se kolegët e tij kanë qenë posaçërisht të angazhuar gjatë kësaj vere dhe kanë zbatuar disa plane operative, në të mirë të rendit dhe qetësisë. Ai vuri në dukje shtimin e bashkëpunimit të popullatës me policinë, gjë që ka rezultuar me ndërhyrje për parandalimin e veprave të paligjshme, ose me identifikimin e kryesve të tyre.

Në mbledhje u ngrit çështja e zhurmës përtej kufijve të lejuar që e bëjnë disa qytetarë në rastet kur kanë dasma, duke i lënë pa gjumë fqinjët e tyre, për shkak të zërit të lartë të muzikës në orët e vona të natës. Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame në Ferizaj, Nexhmedin Bajrami, kërkoi që inspektorati dhe policia të veprojnë më energjikisht në pengimin e kësaj dukurie.

Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, bëri të ditur se në zonën e qendrës së Ferizajt sivjet ka pasur punë intensive pikërisht për ndërprerjen e zhurmave të palejueshme dhe si rrjedhojë, inspektorati ka arritur ta vejë gjendjen nën kontroll, pas inspektimeve të vazhdueshme gjatë natës.

Më tej, kryetari Svarqa i dha këshillit një pasqyrë të punës së qeverisë komunale, sidomos lidhur me investimet kapitale për pjesën e parë të këtij viti dhe për zhvillimet aktuale në këtë fushë. Ai përmendi një sërë investimesh që janë bërë për asfaltimin e rrugëve dhe ndërtimin e infrastrukturës në qytet dhe në fshatra, duke e vënë theksin në investimet e pritshme, për të cilat kontributin kryesor e ka Qeveria e Kosovës, siç është ndërtimi i spitalit, ndërtimi me katër korsi i disa rrugëve në dhe afër Ferizajt, so dhe futja nën tokë e hekurudhës. Kryetari i Ferizajt tha se ka premtime që të gjitha këto dhe projekte të tjera të ngjashme, priten të fillojnë dhe të shtjellohen brenda këtij viti dhe dy viteve të ardhshme.

Lidhur me investimet në infrastrukturë, Nexhmedin Bajrami kërkoi që të ketë penalizime në rastet kur cilësia e punimeve është e dobët, gjë që u mirëprit nga këshilli.

Gazmend Rexhepi nga shoqëria civile kërkoi diskutim publik lidhur me ndërtimet e larta që po bëhen në zonën 8 të qytetit dhe të dëgjohet fjala e banorëve, si dhe të vihen policë të shtritë në rrugën “Astrit Bytyçi”, për shkak të shpejtësisë së madhe që zhvillojnë disa automjete.

Përfaqësuesi i shoqatës së prindërve të nxënësve, Nazim Hoxha, kërkoi masa e veprime, për të ngritur shkallën e disiplinës së nxënësve në shkollat e Ferizajt.

Ndërsa kapiten Avni Vrellaku i Forcës së Sigurisë së Kosovës, vuri në dukje se brenda disa muajve të fundit, ekipet e deminimit të FSK-së, kanë gjetur dhe mënjanuar rreth 600 mjete të pashpërthyera në Parkun e Lirisë, kryesisht antikëmbësorike.

Kapiten Vrellaku theksoi se javën që vjen përfundon një fazë e çminimit, duke i bërë të sigurta shtigjet e parkut, por se ende mund të ketë zona përreth ku duhet pasur kujdes. Ai i ftoi të gjithë qytetarët që të njoftojnë FSK-në në rast se hasin mjete të dyshimta.

Ndërkohë prifti i kishës ortodokse të Ferizajt Zhivojin Kojiq, foli për disa xhama të thyer të kishës së Talinocit, për nevojën e pastrimit të varrezës ortodokse, për vendosjen e një dere hekuri në kapelën e varrezës dhe për mënjanimin e tezgave afër kishës, të cilat po shkaktojnë mbeturina. Ai i tha këshillit se komuna është e lirë ta zgjerojë rrugën përgjatë varrezës ortodokse, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve. Kryetari i Komunës Svarqa, premtoi se do të përmbushen kërkesat e priftit Kojiq.

Kurse drejtori komunal i arsimit, Muhamet Halili, e përmbylli takimin e KKSB-së me një pasqyrë rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai tha se janë krye r masat teknike-higjienike, javën që vjen bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore, po sigurohet lënda djegëse për ngrohje, po bëhet përzgjedhja e kuadrit arsimor, si dhe numëroi investimet që janë bërë në shkollat e komunës së Ferizajt, përfshirë rregullime të dyshemeve, kulmeve, depove, rrethojave etj.

Ai paralajmëroi funksionalizimin e shkollës së Papazit për nxënësit e këtij fshati që ndjekin mësimet deri në klasën e pestë, në mënyrë që të lirohet dhe të punojë vetëm me një turn shkolla e Softajt.

Shpërndaje në rrjete sociale