Skënderbeu ka pësuar me rezultat 1-2 ndaj Dinamo Zagrebit në ndeshjen e parë kualifikuese për fazën grupore të Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Elbasan Arena.
Një fillim më i mirë i ekipit mysafir që pati iniciativën në minutat e para të ndeshjes, ndërkohë që loja e nikoqirëve ishte e bazuar në kundërsulme. Soudani e vuri në rrezik portierin Shehi, ndërsa një tentativë drejt portës kundërshtare e bëri edhe Berisha.
Kroatët ishin më të rrezikshëm dhe krijonin më shumë nga loja në minutat në vazhdim, porse kampioni shqiptar arrinte të bllokojë sulmin e tyre. Marko Rog depërtoi në zonën shqiptare, por goditi jashtë.
Pas një aksioni të rrezikshëm të Skënderbeut, Bledi Shkëmbi e gjeti veten në pozitë të mirë, por goditja e tij përfundoi mbi portë.
Derisa po kalonin minutat, kroatët humbën edhe disa raste të mira për ta ndëshkuar ekipin vendas dhe kjo shkoi në të mirë të shqiptarëve.
Machado ndërhyri në mënyrë të gabuar para zonës së ekipit nga Zagrebi, u ndëshkua me karton të verdhë dhe i dhuroi një gjuajtje të lirë skuadrës shqiptare.
Bledi Shkëmbi ishte fantastik nga gjuajtja e lirë duke e përplasur topin në rrjet dhe duke e kaluar Skënderbeun në avantazh (37’).
Deri në mbyllje të 45 minutave të para, vizitorët patën disa raste të tjera, por të vëmendshëm u treguan vendasit.
Pas një rasti të humbur të kroatëve në fillim të pjesës së dytë, skuadra nikoqire pati dy shanse të mira, sidomos përmes Salihit, i cili ka mundur të veprojë më mirë brenda zonës, por duket se mendoi që ishte në pozitë jashtë lojë.
Lojtarët nga Zagrebi vazhdonin të sulmonin, por ata nga Korça tregoheshin të fokusuar dhe ishin të rrezikshëm në daljet e tyre.
Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme të Dinamo Zagrebit u konkretizuan me golin e barazimit të shënuar nga El Arbi Soudani (66’).
Mysafirët ishin më bindës në lojën e tyre duke ndërtuar shumë shanse, ndërkohë që futbollistët korçarë donin që përmes kundërsulmeve të ndëshkonin.
Sidoqoftë, loja e mirë e kroatëve u kompletua edhe me golin e fitores, të shënuar nga Josip Pivaric (90’+3).
Ky është një rezultat aspak i favorshëm për Skënderbeun kur kihet parasysh se Dinamo do të jetë shumë më e rrezikshme në Zagreb.
Sido që të jeta, ëndrra vazhdon dhe kampioni shqiptar do të shpresojë për një mrekulli në ndeshjen kthyese që do ta dërgonte në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
“Kemi raketa Javelin dhe tri anije patrulluese”, Rama: Ushtr...
Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona
Ngritet aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte në Gjilan
Dita e Veteranit, Bekim Jashari: Nga 30 dhjetori 1991, Adem ...
Maurizio Sarri i nënshtrohet një ndërhyrjeje në zemër, prite...
Përplasje mes pozitës dhe opozitës për listën e pronave komu...