Kënga e më poshtme, kushtuar Gjergj Kastriotit, është marrë në veprën e shkrimtares me origjinë shqiptare, Dora d’Istria-s (Elena Gjika), me titullin : « La nationalité albanaise d’après les chants populaires – Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore. ».
Vepra e Elena Gjikës është botuar në vitin 1866 në gjuhën frënge në « Revue des Deux Mondes », Paris. Autorja ka përmbledhur disa këngë popullore shqiptare, ku njëra prej tyre i dedikohet heroit tonë kombëtar.
Më saktësisht, autorja e ka marrë këngën për Skënderbeun në veprën « Su gli Albanesi, ricerche e pensieri » të shkrimtarit arbëresh, Vincenzo Dorsa, të botuar në vitin 1847 në Napoli.
Ja kënga në vijim :
« Kur u nis Skënderbeu për në luftë, gjatë rrugës që po ndiqte, ai takon Vdekjen, e dërguara e hidhur e aventurës së trishtë. – Emri im është vdekja : kthehu mbrapsht, o Skënderbe, sepse jetës tënde po i vjen fundi – Ai e dëgjon, e vështron, nxjerr shpatën, ndërsa ajo qëndron e shtangur.
Hije e erës, që tremb vetëm frikacakët, nga e di ti se unë duhet të vdes ? Zemra jote e ngrirë a mund të profetizojë zhdukjen time ? Apo të është hapur libri i fatit të heronjve ?
Dje, në qiej, u hapën për mua librat e fatit. E zezë dhe e ftohtë si një vello, ajo zbriste mbi kokën tënde, dhe më pas ajo u hodh mbi të tjerët.
Skënderbeu përplas duart, dhe zemra e tij lëshon një ofshamë. Ah ! Fatkeq ! Më erdhi fundi. Ai fillon të kujtojë të kaluarën ; sheh djalin e tij të rritet pa baba dhe mbretërinë mes lotëve. Ai mbledh luftëtarët e tij dhe u thotë :
Luftëtarët e mi besnikë, Turku do të pushtojë të gjithë tokën tuaj, dhe ju do të bëheni skllevërit e tij. Dukagjin, më sjell këtu djalin tim, këtë djalë simpatik, kështu që t’i jap mendimin tim. Lule e braktisur, lule e dashurisë sime, merr me vete nënën tënde dhe përgatit tri nga anijet më të mira. Nëse Turku e merr vesh (e ka fjalën për vdekjen e tij), ai do të të rrëmbejë dhe do të fyejë nënën tënde. Zbrit drejt plazhit : aty, ka një selvi të errët e të trishtë. Lidh kalin tim në atë selvi, dhe vendos flamurin tim mbi të, që të valvitet nga erërat e detit, dhe vari atij shpatën time. Gjaku i Turqve ka mbetur në pjesën e mprehtë të saj në të cilën fle vdekja. Nën pemën e zezë, armët e luftëtarit të frikshëm a do të qëndrojnë të heshtura ? Kur fryen era e tërbuar, kali hingëllon, flamuri valvitet, shpata jehon. Turku do ta dëgjojë, dhe, duke u dridhur, i zbehtë, i trishtuar, do të tërhiqet duke menduar për vdekjen. »
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : http://www.darsiani.com/opinion/kenga-heroike-arbereshe-kushtuar-vdekjes-se-gjergj-kastriotit/
Kreshnik Ahmeti emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtm...
Sekuestrohet kokainë në një lokal në Kukës, arrestohet prona...
Milani merr vendim rreth të ardhmes së Luka Modricit
Sekuestrohen mbi 25 kg ari në Pejë, evidentohen shkelje të s...
Maqedonci diskuton bashkëpunimin ushtarak me Kroacinë dhe Sh...
BE mirëpret ratifikimin e Planit të Rritjes: 882 milionë eur...