AKR-ja nuk garon në zgjedhjet e 7 qershorit

22:46 | 12 Maj 2026
E.H

Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

Në një njoftim për media, ky subjekt politik ka thënë se në këtë fazë nuk e konsideron garimin në procese zgjedhore.

“Ky është një vendim i menduar me përgjegjësi dhe me fokus të plotë tek e ardhmja e AKR-së. Në periudhën në vijim, energjia jonë do të përqendrohet në ristrukturimin e tërësishëm të partisë, riorganizimin e brendshëm, krijimin e një platforme të hapur për ide dhe hartimin e një programi modern që adreson realisht sfidat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës.”, thuhet në njoftim.

AKR-ja ka deklaruar se qytetarët kanë nevojë për një alternativë serioze, profesionale dhe të besueshme politike.

“Prandaj, ky proces reformimi synon ta pozicionojë AKR-në si një forcë politike për të gjithë ata që kanë humbur besimin tek politika dhe tek mënyra se si është bërë politika deri më sot.”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale