Prokurori i përgjithshëm i New Mexico akuzon Metën se ka dështuar të mbrojë fëmijët nga trafikimi dhe abuzimi seksual. Ky është gjyqi i dytë madhor i vitit 2026 ndaj kompanisë për dëmet e supozuara ndaj fëmijëve, që nis të hënën e 9 shkurtit.
Ky gjyq historik me juri në Santa Fe përball prokurorinë e New Mexico me gjigantin e mediave sociale. Shteti pretendon se kompania ka lejuar me vetëdije grabitqarët të përdorin Facebook dhe Instagram për të shfrytëzuar fëmijët.
Do të paraqiten prova që, sipas Raúl Torrez, prokurorit të përgjithshëm të shtetit, tregojnë se rrjetet sociale të Metës krijojnë mjedise të rrezikshme për fëmijët, duke i ekspozuar ndaj shfrytëzimit seksual, kërkesave të paligjshme, shantazhit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Padia thotë se zgjedhjet e dizajnit dhe nxitjet e fitimit të Metës i dhanë prioritet angazhimit, mbi sigurinë e fëmijëve dhe se kompania ka dështuar të zbatojë masa efektive mbrojtëse. Shteti e akuzon kompaninë se ka lejuar grupe të pambikëqyrura të përkushtuara seksit komercial dhe ka lehtësuar blerjen, shitjen dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM).
“Ndërsa prokurori i përgjithshëm i New Mexico bën argumente sensacionaliste, të parëndësishme dhe shpërqendruese duke zgjedhur dokumente të veçanta, ne jemi të fokusuar në demonstrimin e angazhimit tonë afatgjatë për të mbështetur të rinjtë”, tha një zëdhënës i Meta-s.
Meta thekson se për më shumë se një dekadë ka dëgjuar prindërit, ka punuar me ekspertë dhe forcat e rendit, ka kryer kërkime të thelluara për të kuptuar çështjet më të rëndësishme dhe ka bërë ndryshime të dukshme, si prezantimi i llogarive për adoleshentët me mbrojtje të integruar dhe ofrimi i mjeteve për prindërit për të menaxhuar përvojat e fëmijëve të tyre.
Padia pason një hetim dy vjeçar të The Guardian, botuar në vitin 2023, i cili zbuloi se gjiganti i teknologjisë po haste vështirësi në parandalimin e përdorimit të platformave të tij për trafikimin e fëmijëve. Hetimi citohet disa herë në dokumentet e padisë. Në një intervistë në vitin 2024, Torrez tha se beson se Meta është “tregu më i madh global për grabitqarët dhe pedofilët”.
Pas një jave përzgjedhjeje të jurisë, deklaratat hyrëse pritet të fillojnë më 9 shkurt, të ndjekura nga paraqitja e provave. Procesi pritet të zgjasë rreth shtatë javë. Kompanitë e mediave sociale kanë mbrojtur prej kohësh veten duke pretenduar se nuk janë përgjegjëse për krimet e kryera përmes rrjeteve të tyre, për shkak të një ligji federal amerikan (seksioni 230 i Communications Decency Act) që zakonisht i mbron platformat nga përgjegjësia ligjore për përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit. Përpjekjet e Metës për të përdorur seksionin 230 dhe amendamentin e parë për të hedhur poshtë çështjen u refuzuan nga një gjykatës në qershor 2024, për shkak se padia fokusohej te dizajni i produktit të platformës dhe vendime të brendshme mbi përmbajtjen dhe kurimin.
Gjyqi në New Mexico vjen vetëm një javë pas një çështjeje të profilit të lartë në Los Angeles, ku qindra familje dhe shkolla amerikane akuzojnë Meta, Snap, TikTok dhe YouTube se kanë dëmtuar fëmijët. Paditësit pretendojnë se platformat i kanë bërë me vetëdije të varur përdoruesit e rinj, duke çuar në depresion, çrregullime të të ushqyerit, vetëdëmtim dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Procesi përfshin rreth 1 mijë e 600 paditës, mes tyre mbi 350 familje dhe 250 distrikte shkollore. Snap dhe TikTok arritën marrëveshje me paditësit, ndërsa Meta dhe YouTube mbeten në gjyq. Secila kompani ka mohuar fajin.
“Fakti që këto çështje po shkojnë në gjyq provon se diga e seksionit 230 po thyhet dhe platformat e mediave sociale po përballen me përgjegjësi”, tha Sacha Haworth, drejtor ekzekutiv i Tech Oversight Project. “Këto janë gjyqet e një brezi, për herë të parë do të shohim CEO të big tech të dalin në gjyq”.
Dëshmitarët kryesorë për paditësit në çështjen e New Mexico pritet të jenë edukatorë dhe zyrtarë të rendit, të cilët do të flasin për dëmet dhe krimet e supozuara që kanë parë të ndodhin në Facebook, Instagram dhe WhatsApp, si dhe sinjalizues që mund të zbulojnë diskutime të brendshme të kompanisë. Adoleshentët dhe familjet që kanë përjetuar dëme në platforma nuk pritet të dëshmojnë.
Torrez dhe ekipi i tij kanë marrë tashmë dëshminë e shefit të Metës, Mark Zuckerberg, dhe mund të përdorin pjesë të saj në gjyq nëse ai nuk merr pjesë. Jurisdiksioni i New Mexico kufizon aftësinë e tij për të detyruar dëshmitarë jashtë shtetit të dëshmojnë personalisht./tvklan.al
Si i fitoi Besiktas plotë 8 milionë euro brenda dy ditësh me...
Portugalia planifikon të ndalojë rrjetet sociale për persona...
Tre trajnerët që mund ta zëvendësojnë Guardiolën te City, në...
Vala e fortë e të ftohtit, 13 të vdekur në Nju Jork nga hipo...
LDK prish koalicionin me VV-në në Mitrovicë
Interesi në rritje për rajonin, Trump pritet të vizitojë Gre...