‘Zbulohet’ vendimi i Liverpoolit për të ardhmen e Arne Slot

23:41 | 10 Nëntor 2025
D.H

Eksperti i transferimeve dhe gazetari i njohur, Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim mbi të ardhmen e trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Manchester City të dielën.

Kampionët e Premierligës dukeshin se kishin hyrë në një formë të mirë pas fitoreve mbresëlënëse kundër Aston Villas dhe Real Madridit në “Anfield”, por u mposhtën lehtësisht në “Etihad Stadium”, në ndeshjen e 1000-të të Pep Guardiolës si trajner.

Erling Haaland hapi serinë e golave për vendasit pasi më parë kishte humbur një penallti, ndërsa Nico Gonzalez dhe Jeremy Doku vulosën rezultatin me goditje nga distanca, pas anulimit të një goli të Virgil van Dijk për shkak të një “veprimi të qartë” nga Andy Robertson, që ishte në pozicion jashtë loje.

Liverpool nuk arriti të godiste portën deri në minutën e 75-të të ndeshjes, që e la skuadrën në vendin e tetë në Premierligë, tetë pikë pas Arsenalit pas 11 javësh.

Skuadra “The Reds”, që ka shpenzuar shumë në merkato, ka humbur shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, dhe presioni mbi Slot është rritur ndjeshëm, me tifozët e Cityt që i këndonin “do të shkarkohet në mëngjes”.

Megjithatë, pavarësisht formës së dobët pas një merkatoje rekord prej 446 milionë paundësh për emra si Florian Wirtz dhe Alexander Isak, Fabrizio Romano është i bindur se Liverpool ende e konsideron Arne Slotin njeriun e duhur për këtë punë dhe nuk po mendon për ndonjë trajner tjetër.

“Le ta fillojmë videon e sotme duke përmendur situatën e Liverpoolit,” tha Romano në videon e tij më të fundit në YouTube.

“Është një moment shumë i vështirë për Liverpoolin në Premierligë. Pavarësisht disa rezultateve të mira së fundmi, kundër Manchester City skuadra nuk tregoi nivelin e duhur. Liverpooli humbi 3-0 dhe ka tashmë më shumë humbje këtë sezon sesa gjithë sezonin e kaluar, edhe pse shpenzoi shumë gjatë verës. Por ajo që mund të them është se informacionet janë shumë të qarta: Liverpool vazhdon ta mbështesë trajnerin Arne Slot. Klubi vazhdon ta mbrojë dhe të besojë se ai është njeriu i duhur për të përmirësuar situatën. Liverpool ka besim të plotë. Nuk ka pasur asnjë kontakt me asnjë agjent apo përfaqësues të ndonjë trajneri tjetër. Ka besim të plotë te Arne Slot”, ka thënë Romano.

Pas pushimit për ndeshjet ndërkombëtare, Liverpooli do të rikthehet në fushë më 22 nëntor në “Anfield” kundër Nottingham Forestit, përpara se të përballet me PSV-në në Ligën e Kampionëve dhe më pas me West Hamin më 30 nëntor.

Slot nënshkroi një kontratë trevjeçare në vitin 2024 dhe udhëhoqi Liverpoolin drejt titullit të Premierligës në sezonin e tij të parë në stol.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme