Yamal e merr numrin 10 tek Barcelona

21:47 | 16 Korrik 2025
R J

Barcelona ka vendosur që numrin legjendar 10, që dikur e mbante Lionel Messi, t’ia besojë talentit të ri Lamine Yamal.

Tetëmbëdhjetë vjeçari, që është rritur në akademinë e njohur të klubit “La Masia”, e ka prezantuar zyrtarisht fanellën e re në stadiumin “Spotify Camp Nou”.

“Messi ka bërë rrugën e tij, unë do ta bëj timen”, ka thënë Yamal para gazetarëve. “Do të punoj shumë, do të jap gjithçka për të kënaqur tifozët tanë”.

Sezonin e kaluar, Yamal e ka ndihmuar Barcelonën të fitojë tre trofe brenda Spanjës dhe tashmë ka kontratë me klubin deri në vitin 2031. Ai është edhe njëri nga lojtarët më të paguar të skuadrës.

“Ëndrra ime është ta fitoj Champions League me Barcelonën dhe Kupën e Botës me Spanjën”, ka thënë ai.

Yamal ka debutuar me ekipin e parë në vitin 2023 kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Deri tani ka luajtur mbi 100 ndeshje dhe ka shënuar njëzet e pesë gola. “Barça është jeta ime. Kam ardhur këtu kur isha shtatë vjeç dhe gjithmonë kam ëndërruar të luaj në ekipin e parë”, ka thënë ai.

Numrin 10 më parë e ka pasur Ansu Fati, i cili nuk arriti të zhvillohej për shkak të lëndimeve dhe tani është huazuar te Monaco.

Fanellën me numrin 10 e kanë veshur edhe emra të mëdhenj si Maradona, Ronaldinho dhe Rivaldo. “Ata janë legjenda. Shpresoj të vazhdoj trashëgiminë e tyre”, ka thënë Yamal./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm