“Vëllaznimi” reagon për incidentin gjatë ndeshjes me KB “Bashkimin”

22:02 | 15 Janar 2026
E.G

Klubi i Basketbollit `Vëllaznimi` ka shprehur keqardhjen e thellë dhe ka dënuar ashpër incidentin që ndodhi gjatë ndeshjes ndaj Klubit të Basketbollit `Bashkimit`, ku një anëtar i stafit teknik të ekipit mysafir u godit me shishe plastike. Sipas klubit, çdo akt dhune në sport është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet bazë të fair-play-it dhe sigurisë sportive.

KB ‘Vëllaznimi’ në reagim nënvizon se gjithmonë ka qenë dhe mbetet i përkushtuar për pritje korrekte, të sigurt dhe dinjitoze të ekipeve mysafire, stafit të tyre teknik dhe zyrtarëve të ndeshjes, duke respektuar në mënyrë strikte rregulloret e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Organizimi i ndeshjes ishte në përputhje të plotë me rregullat e FBK-së, me prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe stafit të sigurimit, të kërkuar nga vetë KB ‘Vëllaznimi'”, thuhet në reagim.

Sipas klubit, incidenti nuk mund t’i atribuhet organizatorit, pasi disa persona nga ekipi mysafir u lejuan të qëndronin në një zonë të ndaluar nga delegati i ndeshjes dhe Policia, duke krijuar kështu mundësinë për ngjarjen e pakëndshme.

KB ‘Vëllaznimi’ fton FBK-në të analizojë me kujdes pamjet filmike për të verifikuar grumbullimin e tifozëve në zonën e ndaluar, praninë e tyre pa pëlqimin e organizatorit dhe mungesën e mbikëqyrjes nga autoritetet, çka përbën dështim të vendimmarrjes institucionale dhe jo të klubit vendor.

Klubi shpreh gjithashtu shqetësim për aplikimin e standardeve të dyfishta, duke kujtuar rastin kur basketbollisti Dardan Berisha u godit në Prizren dhe u ndërmor vetëm zbrazja e një pjese të palestrës, ndërsa në Gjakovë u urdhërua zbrazja e tërë sallës, vendim që konsiderohet disproporcional.

KB ‘Vëllaznimi’ kërkon nga FBK trajtim të barabartë të rasteve të ngjashme, analizë objektive të provave filmike dhe shmangie të deklaratave tendencioze që dëmtojnë imazhin e klubit. Klubi përsërit përkushtimin e tij për sport të pastër, siguri dhe bashkëpunim institucional, por thekson se nuk do të pranojë bartjen e përgjegjësive që nuk i takojnë.