Vëllaznimi mposht Sigal Prishtinën në një sfidë dramatike

23:36 | 14 Shkurt 2026
Q L

Vëllaznimi e mbylli xhiron e 20-të me një fitore shumë të rëndësishme ndaj KB Sigal Prishtina, duke triumfuar me rezultat 74-69 pas një ndeshjeje të fortë dhe me duele fizike deri në sekondat e fundit.

Takimi ishte i baraspeshuar për pjesën më të madhe të kohës. Sigal Prishtina kërkoi ritmin e saj përmes Baileyt dhe Clarance, por vendasit gjetën përgjigje sa herë që mysafirët tentuan të afrohen në rezultat.

Momenti vendimtar erdhi në çerekun e katërt, kur Vëllaznimi ruajti qetësinë dhe realizoi pikë të rëndësishme në posedimet e fundit. Y. Anei ishte figura kryesore, duke dominuar në zonë dhe duke i dhënë skuadrës energji në të dyja anët e parketit, ndërsa J. Hellems mbajti peshën e sulmit me shënime në momente kyçe.

Megjithëse Sigal Prishtina u rikthye disa herë në lojë, sidomos falë presionit të Clarance dhe goditjeve të Bailey-t, humbjet e topit dhe mungesa e saktësisë në aksionet vendimtare e penguan përmbysjen.

Në fund, Vëllaznimi administroi epërsinë me faulle taktike dhe realizim të saktë nga vija e gjuajtjeve të lira, duke e mbyllur takimin 74-69 dhe duke marrë një fitore të madhe që i jep moral dhe momentum për vazhdimin e kampionatit.

Shpërndaje në rrjete sociale