Vëllai i Arbër Zenelit transferohet te klubi i njohur në Belgjikë

19:05 | 13 Janar 2026
E.G

Klubi belg Union Saint-Gilloise ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit Besfort Zeneli.

Futbollisti njëzet e tre vjeçar u bashkohet kampionëve të Belgjikës nga skuadra suedeze Elfsborg, ndërsa ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2030.

“Zeneli është një mesfushor qendror që është rritur në akademinë e Elfsborg. Ai u dallua që herët për talentin e tij, veçanërisht në sezonin 2021 me ekipin U19, ku ishte kapiten dhe realizoi 19 gola në 16 ndeshje. Debutimin në elitën suedeze, Allsvenskan, e bëri në shtator të vitit 2022.

Në vitin 2024, Zeneli u shndërrua në pjesë të rëndësishme të ekipit të parë të Elfsborg dhe sezonin e fundit e mbajti shpesh shiritin e kapitenit. Në total, ai ka zhvilluar 93 ndeshje zyrtare, duke shënuar 5 gola dhe duke dhënë 15 asistime. Elfsborg përfundoi sezonin e fundit në pozitën e tetë në kampionat”, ka njoftuar klubi belg.

Në prononcimin e tij të parë si lojtar i Unionit, Zeneli është shprehur i entuziazmuar për këtë hap të ri në karrierë.
“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, i thashë menjëherë agjentit tim se doja të vija në këtë klub. Është një klub familjar, por në nivelin më të lartë”, ka thënë ai.

Besfort Zeneli ka shtetësi të dyfishtë, kosovare dhe suedeze. Ai ka luajtur për Kosovën U21, por ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë në nivelin senior. Debutimin me kombëtaren suedeze e bëri më 22 mars 2025, në ndeshjen kundër Luksemburgut.

Ai është vëllai i Arbër Zenelit, i cili kishte zgjedhur ta përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.

Te Union Saint-Gilloise, Besfort Zeneli do të mbajë fanellën me numër 23, e cila më parë është veshur nga futbollistë të njohur si Sofiane Boufal dhe Cameron Puertas.

Shpërndaje në rrjete sociale