Ujkani këshillon Milanin: Merr Zhegrovën, nuk do të pendohesh

15:55 | 18 Janar 2019

Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, nuk harron Italinë dhe aventurën e tij të kaluar mes Serisë A dhe Serisë B. Sot mbron portën e Rizesporit në Turqi, edhe pse nuk ka luajtur asnjë ndeshje pasi rezervë.

Në një intervistë të dhënë për “Tuttomercatoweb”, ish-gardiani i Palermos, Pisas dhe Novaras u shpreh: “Nuk jam i kënaqur, sepse nuk po luaj. Dhe situata e ekipit është negative. Kemi nevojë për një mrekulli për të shpëtuar, pra siguruar mbijetesën. Në nivel individual nuk po shkon mirë, erdha këtu për të luajtur. Nuk është moment i lumtur”.

Ujkani po mendon edhe të kthehet në Itali. “Po mundohem të kuptoj me agjentin. Do të flas dhe me Rizespor. Nuk jam i lumtur, nuk erdha këtu për portier i dytë. Do të më pëlqente të kthehesha në Itali, kam jetuar 11 vjet të karrierës aty. Nuk është e lehtë, sigurisht”.

Ujkani ndjek ende kampionatin italian dhe sidomos Palermon, për të cilin shpreson “të kthehet sa më shpejt në Serinë A, sepse nuk e meriton Serinë B”.

Në fund, rrëfen Gattuson dhe aventurën te Pisa bashkë: “Ishim një familje. Atmosferë e shkëlqyer, falë trajnerit. Përtej vështirësive, tifozët nuk na braktisën. Pranova Pisan për trajnerin. Jam i lumtur për atë që po bën te Milani. Eshtë trajner niveli, Milani është në duar të sigurta. Të gjithë presin gjëra të mëdha. E di se sa vlen mister Gattuso”.

Ujkani ka edhe një këshillë merkatoje. “Dëgjova se Milani është interesuar për Zhegrovën. Bën mirë të arrijë akord dhe ta afrojë. Cilësi të jashtëzakonshme, ia kam parë vetëm Dybalasë. Në fushë duket ende fëmi, por me Gattuson do të bëhet burrë. Eshtë vërtet Messi i ri siç edhe thuhet”.

Shpërndaje në rrjete sociale