Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të marrë në mbledhjen e datës 20.04.2026, për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës. Ky vendim, sipas Rexhepit, është arsyetuar nga Qeveria me pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj Komisionit aktual.
Kryetari i Gjykatës Supreme, njëherësh edhe kryetar i Komisionit të deritanishëm, ka theksuar se çdo vendimmarrje institucionale duhet të bazohet në fakte të verifikuara, procedura të rregullta dhe respektim të plotë të kompetencave ligjore të institucioneve përkatëse.
Sipas Rexhepit, është e papranueshme që përgjegjësia për një proces administrativ dhe organizativ të zhvendoset tek Komisioni, në një kohë kur, siç thekson ai, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të përmbushë obligimet e saj ligjore për organizimin e provimit.
Në reagim theksohet gjithashtu se ndaj Komisionit ka pasur tendenca për ndryshime tash e një vit, ndërsa arsyet e dhëna nga Ministria e Drejtësisë për emërimin e një përbërjeje të re të Komisionit cilësohen si “absurde dhe të pavërteta”.
“Tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues”, thotë Rexhepi.
Ai ka deklaruar se Komisioni nuk ka lejuar ndërhyrje në procesin e vlerësimit të kandidatëve, duke theksuar se ky vlerësim është bërë në bazë të ligjit dhe me transparencë të plotë. Sipas tij, e vetmja kritikë e adresuar nga Ministria e Drejtësisë ka qenë niveli i ulët i kalueshmërisë së kandidatëve, por Komisioni nuk ka pranuar uljen e kritereve të vlerësimit.
Në reagimin e Rexhepit thuhet po ashtu se emërimi i një Komisioni të ri, pa përfunduar mandati i atij ekzistues, përbën ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura dhe vazhdimësi të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë nga ana e Qeverisë.
Kryetari i Gjykatës Supreme ka theksuar se integriteti dhe pavarësia në ushtrimin e funksioneve institucionale nuk janë vetëm parime formale, por vlera që duhet të zbatohen në praktikë në çdo veprim institucional. Në fund të reagimit, ai thekson se Komisioni mbetet i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, funksionimit të pavarur të institucioneve dhe mbrojtjes së interesit publik.
“Andaj, emërimi i një Komisioni në përbërje të re, pa i kaluar mandati Komisionit të deritanishëm, nuk shpjegohet ndryshe përveç ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura, dhe kjo në vazhdën e ndërhyrjeve të vazhdueshme që Qeveria i bënë edhe në raport me Sistemin e Drejtësisë”, thuhet në fund të reagimit.
Kurti: Prania e NATO-s në Kosovë, veçmas ajo e ShBA-së, kruc...
Nagavci: Dihen qëndrimet tona për UÇK-në
Lushaku-Sadriu skeptike për rikthimin e bisedimeve të LDK-së...
Tifozët e Mallorcas i dedikojnë një pankartë gjigante Vedat ...
Arrestohet një grua në Pejë, dyshohet se vodhi nga sefi 176 ...
Trump i kërkon Iranit lirimin e grave të dënuara me vdekje