Trepça ndan rrugët me trajnerin Emin Baliqi dhe ndihmësin e tij  

19:47 | 2 Nëntor 2025
D.H
Trepça nuk është duke kaluar në formë të mirë në Ligën e Parë, ku pas 15 ndeshjeve të luajtura ndodhet në pozitën e nëntë me 23 pikë.

Krizën e thelloi edhe më shumë humbja e djeshme në Vushtrri, ku pas kësaj disfate është larguar edhe trajneri Emin Baliqi me ndihmësin e tij Shpëtim Fetahu, shkruan Arbresh.info.

Lajmi u bë i ditur pas një komunikate të lëshuar në rrjetin social Facebook të klubit nga Trepça.

Ata falënderuan dyshen për gjithë punën e tyre gjatë këtyre viteve. Teksa këtë largim nuk e quajnë lamtumirë por “mirupafshim”.

NJOFTIMI I PLOTË:

Klubi i Futbollistik TREPÇA dëshiron të shprehë mirënjohjen më të sinqertë për trajnerin Emin Baliqi dhe ndihmësin e tij Shpetim Fetahu, për pesë vitet e punës së përbashkët, përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë në zhvillimin e klubit tonë.

Gjatë këtyre viteve, trajneri Baliqi dhe ndihmësi Fetahu kanë qenë pjesë e pandashme e familjes së Trepçës.

Me profesionalizëm, disiplinë dhe pasion, ata kanë ndërtuar një skuadër konkurruese, kanë zhvilluar shumë futbollistë të rinj dhe kanë kontribuar në ngritjen e standardit të punës brenda klubit.

Rezultatet, karakteri dhe fryma e bashkëpunimit që e kanë lënë pas do të mbeten pjesë e historisë sonë moderne.

Kontributi i tyre nuk matet vetëm me pikë e fitore, por me ndikimin që kanë pasur në mentalitetin e ekipit.

Rrugët tona po ndahen përkohësisht, por respekti dhe vlerësimi për punën e tyre mbeten të palëkundura.

Derën e Trepçës do ta kenë gjithmonë të hapur, sepse ky nuk është një fund, por një ndalesë e përkohshme në rrugën e gjatë të futbollit.

Nuk është lamtumirë – por “mirëupafshim”.

Shpërndaje në rrjete sociale