Trajneri i NAVI-it për “makazzen”: Është vërtet mbresëlënës për mua po tregon një potencial shumë të mirë

12:48 | 30 Korrik 2025
D.H

Drin “makazze” Shaqiri, është njëri nga emrat më të përfolur në botën e esports në vendin kohëve të fundit. Kjo për shkak se 18-vjeçari ka arritur një sukses që asnjë shqiptar më parë nuk e ka pasur.

Shaqiri është promovuar në ekipin e parë të Natus Vincere (Navi), një prej organizatave më të suksesshme në botën e lojës elektorinike CS2, shkruan Arbresh.info.

Përveç promovimit, Drini ka debutuar në mënyrë fenomenale në një prej turneve më të rëndësishëm në CS2, IEM Cologne. Falë paraqitjeve të mira të tij dhe skuadrës në përgjithësi, NAVI u kualifikua në play-off të këtij eventi.

Të premten “makazzen” e pret edhe debutimi në një nga arenat më të mëdha siç është ajo e “Lanxxes Arena” në Koln të Gjermanisë.

Në pesë ndeshjet e para Drini ka pasur 128 eliminime, dhe ka një rating 1.0.

Shaqiri ka qenë vendimtar në dy prej ndeshjeve të NAVI-t me Faze Clan, ku njëra prej tyre ishte edhe përcaktuese për kualifikim në “Lanxxes Arena”.

Pas gjithë kësaj, trajneri i NAVI-it, Andrey “B1ad3” Gorodenskiy, ka folur për super talentin shqiptar.

Për të riun shqiptar, “B1ad3”, foli fjalë të mira në një intervistë për hltv.org, duke marrë parasysh se ky është event i parë me një skuadër tier 1, dhe eksperienca mungon.

“E rëndësishme është që nuk mund ta krahasojmë me lojtarët e nivelit më të lartë. Ai, padyshim, është më poshtë në shumë aspekte si përvojë, njohuri të sistemit tonë, është e qartë. Duhet të kemi parasysh që vjen nga akademia dhe nuk ka fare përvojë në LAN. Nëse e analizojmë nga ky këndvështrim, është vërtet mbresëlënës për mua po tregon një potencial shumë të mirë”, tha fillimisht ai.

Më tej ai pati një mesazh edhe për shikuesit ku ka nga ata që kritikuan organizatën e NAVI-t, por ka edhe disa tjerë që e kanë përkrahur vendimin për ta promovuar Drinin në ekipin e parë, duke i dhënë mbështetje 18-vjeçarit nga Kosova, ndër ta edhe “jL”, ish lojtari i kësaj organizate, ku ka folur fjalë të mira për “makazzen”, në livestream-at e tij në Twitch, sa ishte duke komentuar lojrat.

“Ashtu siç tha edhe Aleksi, ai është i sigurt për atë që dëshiron të bëjë, dhe për momentin i duhet vetëm të zgjerojë njohuritë gjë që është krejtësisht e kuptueshme. Duhet t’i japim kohë, jo vetëm një turne. Shikuesit do të kenë mundësinë ta vlerësojnë realisht dhe të shohin sa i fortë do të jetë në Majorin e Budapestit, nëse kualifikohemi atje”, shtoi trajneri ukrainas.

Për fund ai pati një mesazh edhe për skuadrat tjera, se duhet ta ndjekin shembullin e NAVI-t që e bëri me “makazzen”.

“Makazze mori një mundësi reale në karrierën e tij për të dëshmuar veten dhe pikërisht këtë duhet ta bëjnë edhe skuadrat e tjera me lojtarët e rinj, nëse kanë një mundësi si kjo që patëm ne”, tha ndër të tjera B1ad3.

Ndeshja e ardhshme e NAVI-t është në kuadër të çerekfinales së IEM Cologne të premten me fillim nga ora 15:45 ndaj The MongolZ, një skuadër e cila është jashtëzakonisht e fortë këtë vit, ku së fundmi luajti edhe në finale të Majorit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme