Spanja “pa mëshirë” ndaj Turqisë, “La Roja” ia shënon gjashtë gola në tokën turke

22:38 | 7 Shtator 2025
D.H

Spanja e ka ‘demoluar’ Turqinë duke e mposhtur me rezultat 6-0 në Konya, sfidë kjo e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.

Ndeshja nisi mirë për spanjollët ku realizuan pas gjashtë minutash lojë me Pedrin, shkruan Arbresh.info.

Në minutën e 22-të të takimit, Mikel Merino dyfishoi rezultatin. Po i njëjti futbollist në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, realizoi golin e dytë personal dhe të tretin ekipor.

Edhe në pjesën e dytë, Spanja nuk u ndal dhe vazhdoi sulmet.

Pas 53 minutash lojë, gjeti edhe golin e katërt me anë të Ferran Torresit pas një asistimi nga super talenti, Lamine Yamal.

Katër minuta më vonë, Mikel Merino kompletoi hattrickun dhe realizoi golin e pestë për Spanjën.

Ndërkohë, ylli i mesfushës së Barcelonës shënoi edhe golin e dytë personal dhe të gjashtin për Spanjën në minutën e 62-të.

Përkundër epersisë së thellë, “La Roja” vazhdoi dominimin dhe në minutën e 72-të ishte shumë pranë golit të shtatë, por goditja e Merinos shkoi shumë pranë portës.

Deri në fund nuk pati gola tjerë dhe Spanja arkëtoi tre pikët e radhës në grupin E, kualifikues ku janë edhe Gjeorgjia e Bullgaria.

Pas dy ndeshjeve Spanja prinë me gjashtë pikë, nga tri kanë Gjeorgjia e Turqia, kurse pa pikë pas dy përballjeve të para është Bullgaria.

Ndeshjen e radhës e cila luhet në tetor, Spanja e zhvillon ndaj Gjeorgjisë kurse Turqia përballet me Bullgarinë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale