Southgate dhe stafi i Anglisë përgatiten qe dy vite për ta ndalur Mbappen

08:52 | 8 Dhjetor 2022
K.B

E përditshmja angleze, ‘Independent’ ka dhënë një lajm paksa befasues për ndjekësit e futbollit, para çerekfinales Angli – Francë.

Paraqitja e Kylian Mbappe ndaj Polonisë, me dy golat e tij, ka bërë që e gjithë vëmendja të kthehet te ylli i Paris Saint-Germain.

Para çerekfinales, edhe mediat britanike e kanë shqetësim kryesor anëtarin e PSG. Por, Gareth Southgate mund ta ketë një plan për ta ndalur atë.

Sipas raportimeve të ‘Independent’, Southgate dhe stafi i tij kanë një plan anti-Mbappe, dhe këtë plan e kanë përgatitur tash e dy vite, përcjell lajmi.net.

Ata besojnë se zgjidhja më e mirë për t’u marrë me Mbappe është vendosja e një lojtari po aq të rrezikshëm përballë tij, për të shfrytëzuar kufizimet e tij në aspektin defensiv.

Pikëpyetja qëndron tek ajo se cili lojtar i Anglisë mund të jetë po aq i rrezikshëm sa Mbappe.

Nëse këto raportime kanë vërtetësi, atëherë një opsion mund të jetë mbrojtësi i Liverpool, Trent Alexander-Arnold, i cili është jashtëzakonisht i rrezikshëm edhe në aspektin ofensiv.

Një opsion më i balancuar mund të jetë edhe Kyle Walker i Manchester City.

Shpërndaje në rrjete sociale