Sot Kosova – Turqia, ndeshje vendimtare e Ligës së Kombeve

11:07 | 24 Tetor 2025
E.K

Kombëtarja e Kosovës në futboll (Femrat), sot do të përballet me Turqinë.

Dardanet dhe Turqia do të ballafaqohen në ‘Fadil Vokrri’, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij cikli në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova do të mas forcat me Turqinë në fazën e “play-off-it”, ku në dy ndeshje do të vendoset se cila kombëtare do të garojë edicionin e ardhshëm në Ligën B.

Për vajzat e Kosovës, kjo përballje është vendimtare dhe me peshë të madhe sportive.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Sami Sermaxhaj, nuk e konsideron të lehtë sfidën e së premtes, por shpreson dhe beson në përkushtimin maksimal të lojtareve.

“Ne presim që planifikimet që i kemi bërë, si në aspektin e përgjithshëm ashtu edhe në atë specifik, të shihen brenda vijave të fushës dhe të na sjellin rezultat pozitiv. Kemi bërë një analizë të detajuar të kundërshtarit, si unë ashtu edhe futbollistet. Synimi ynë është të jemi sa më sulmues, të krijojmë më shumë raste dhe të jemi efektive në finalizim. Kemi vendosur një plan të qartë për t’iu kundërvënë Turqisë, si në momentet kur ata e kanë topin, ashtu edhe kur ne jemi në fazën e sulmit. Pres përkushtim maksimal dhe fokus 100%. Vajzat janë të vetëdijshme për rëndësinë e lojës dhe shpresoj që si produkt i punës sonë të dalim nesër fitues”, ka thënë Sermaxhaj.

Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë fillon në orën 17:00./rtk