Prishtina e ka nisur sezonin jashtëzakonisht mirë, ku pas nëntë ndeshjeve po e kryesojnë tabelën e klasifikimit në Superligën e Kosovës me 22 pikë, katër më shumë se ndjekësi i parë Ballkani.
‘Arma’ e fshehtë e Prishtinës këtë edicion deri më tani po del të jetë Valmir Veliu.
Për anësorin bardhekaltër flitet pak, mirëpo veprat e tij në fushë po lënë gjurmë, shkruan Arbresh.info.
Ish-futbollisti i Llapit po shkëlqen në kryeqytet ku pas nëntë xhirove ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar dy asistime.
Së bashku me Blend Baftiu këtë edicion ata i prijnë listës së golashënuesve tek Prishtina në Superligën e Kosovës. Me pesë gola të shënuar Veliu është golashënuesi i dytë më i mirë në elitën e futbollit kosovar pas Valentin Serebes të Ballkanit që ka shtatë sosh.
25-vjeçari ka qenë vendimtar në disa përballje, ndër to sfida me Dukagjinin ku realizoi golin e fitores në minutat shtesë.

Në një intervistë për Arbresh.info, Veliu shprehet i lumtur për rikthimin e tij në formën më të mirë, pas një lëndimi që pati edicionin e kaluar.
“Po siç e cekët sa i përket formës së mirë që jam duke e kaluar momentalisht jam shumë i lumtur dhe normalisht synimet e mija janë që të zhvilloj paraqitje sa më të mirë me gola ose asistime dhe ta ndihmoj ekipin për ta arritur objektivin kryesor.”
“Sa i përket vitit të kaluar në Llap, kam pasur një sezon jo të mirë për shkak një lëndimi të gjatë që e kam pasur, dhe më ka mbajtur larg fushave. Ai lëndim ka ndikuar shumë edhe ne aspektin e performancës sime, por edhe ne aspektin psikologjik”, tha Veliu për Arbresh.info.

Futbollisti llapjan vlerësoi Prishtinën si pikë të kthesës së tij pas një sezoni dëshpërues.
“Transferimi tek Prishtina ka qenë pika e kthesës, ndërrimi i ambientit ka ndikuar për të mirë – por parësore ka qenë puna e madhe që kam bërë për ta rikthyer formën dhe të jam ky që jam sot”, shtoi tutje ai.
I vërshuar nga ofertat në merkaton e verës, Valmiri tregoi arsyen kryesore pse e zgjodhi Prishtinën para disa klubeve tjera kosovare.
“Po është e vërtet kam pasur oferta prej disa klubeve, po kam zgjedhur Prishtinën për arsye se është klubi me i trofeshëm në Kosovë, si dhe organizmi që ka bërë këto vitet e fundit për të qenë një ekip sa më i fort për vite me radhë”, vazhdoi Valmir Veliu.
Prishtina është pa titull kampion që nga viti 2021, dhe këtë edicion synim kryesor është rikthimi i titullit në kryeqytet.
Pavarësisht se sezonin e ka nisur për mrekulli, sulmuesi anësor qëndron me ‘këmbë në tokë’, kur flet për objektivat e klubit.
“Realisht është shumë herët për të folur për titullin kampion. Por normalisht objektivi i Prishtinës është gjithmonë titulli dhe Kupa e Kosovës. Ne jemi në rrugë të mirë deri më tani dhe mendoj që rivalët kryesor për titull do t’i kemi Ballkanin dhe Dritën”, potencoi ai.
“Plisat” ka qenë këtë sezon “lojtari i 12-të” i Prishtinës. Ata kanë udhëtuar nëpër çdo qytet duke i dal në mbështetje klubit. Ky fakt po u jep edhe më shumë zemër në fushë lojtarëve bardhekaltër, andaj Veliu ka një mesazh për tifozët kryeqytetas.
“Normalisht “Plisat” janë mbështetja kryesore e ekipit dhe kjo është e rëndësishme që ata të jenë gjithmonë në përkrahje të klubit. Prania e tyre në stadium po na ndihmon shumë dhe shpresoj që në fund do t’i shpërblejmë me titull, pasi me të vërtet janë duke bërë një punë të madhe për të na ndihmuar në çdo sfidë sikurse vendas ashtu edhe mysafir”, përfundoi 25-vjeçari.

Përveç në Kosovë tek Llapi, Valmiri ka bërë karrierë edhe në Turqi edhe tek Gaziantepi e Istanbulspori.
Gjithashtu ai ka dy ndeshje të luajtura me kombëtaren e Kosovës, po ashtu ka qenë edhe pjesë e grup-moshave U21, ku në 13 ndeshje të luajtura ka realizuar dy gola.
Ndeshja e radhës e Veliut dhe Prishtinës është ndaj Dukagjinit në fundjavë./Arbresh.info/DrilonHalili/
Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...