Refuzohet ankesa e KB Prishtinës, mbetet në fuqi rezultati i ndeshjes në Gjakovë

16:33 | 17 Shkurt 2026
D.H

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) sot ka publikuar Vendimin Nr. 26/2025-26 të Komisionit të Garave (KG), lidhur me ankesën e paraqitur nga KB Sigal Prishtina për anulimin e rezultatit të ndeshjes ndaj KB Vëllaznimit, e zhvilluar më 14 shkurt 2026 në Gjakovë.

Në mbledhjen e mbajtur më 16.02.2026, në përbërje nga Armend Hamiti (kryetar), Arianit Shala dhe Ismet Ferati (anëtarë), Komisioni i Garave ka shqyrtuar kërkesën e klubit prishtinas për regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar 20–0 në favor të Sigal Prishtinës.

Pas shqyrtimit, KG ka vendosur ta hedhë poshtë ankesën si të papranueshme, duke u bazuar në nenin 44.8 të Propozicioneve të Garave për sezonin 2025/2026.

Sipas arsyetimit, neni 44.1 përcakton në mënyrë taksative rastet kur mund të paraqitet ankesë, konkretisht nëse ekipi pretendon se është dëmtuar si pasojë e:

  • gabimit në procesverbal apo matje kohe,
  • vendimit për humbje të ndeshjes së pazhvilluar, anulimit apo moszhvillimit,
  • paraqitjes së lojtarit të paregjistruar apo të dënuar.

Komisioni vlerësoi se pretendimi i Sigal Prishtinës – që kishte të bënte me vazhdimin e ndeshjes pas hyrjes së një shikuesi në fushë dhe tentimit për sulm ndaj gjyqtarit – nuk përfshihet në asnjërën nga kategoritë e lejuara, andaj ankesa është konsideruar proceduralisht e papranueshme dhe është hedhur poshtë pa u shqyrtuar në themel.

Megjithatë, për hir të qartësisë juridike, Komisioni ka theksuar se edhe po të konsiderohej e pranueshme, ankesa do të refuzohej si e pabazuar.

Në arsyetim thuhet se:

  • Ka pasur hyrje të paautorizuar të një personi në fushën e lojës;
  • Ka pasur tentim për kontakt fizik me gjyqtarin;
  • Nuk është realizuar sulm fizik në kuptimin e goditjes apo shkaktimit të lëndimit trupor.

Sipas nenit 41.7.6 të Propozicioneve të Garave, ndërprerja e menjëhershme e ndeshjes parashikohet vetëm në rast të realizimit të sulmit fizik ndaj personave zyrtarë. Në mungesë të një sulmi të tillë, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerje automatike të ndeshjes.

Gjithashtu, bazuar në nenin 41.6, gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksionit të tyre dhe të obliguar ta çojnë ndeshjen deri në fund nëse ekzistojnë kushte normale për zhvillimin e saj. Sipas raporteve zyrtare:

  • Gjyqtari i prekur ka deklaruar se është në gjendje të vazhdojë detyrën;
  • Ndeshja ka vazhduar pas rikthimit të rendit;
  • Nuk ka pasur pamundësi objektive për përfundimin e saj.

Në këto rrethana, KG ka vlerësuar se vendimi i gjyqtarit për vazhdimin e takimit ka qenë në përputhje me rregulloret në fuqi.

Komisioni ka bërë të ditur se, pavarësisht çështjes së rezultatit, është iniciuar procedurë disiplinore ndaj personit përgjegjës për incidentin, në përputhje me normat disiplinore të FBK-së.

Vendimi hyn në fuqi në ditën e publikimit, ndërsa sipas nenit 45 të Propozicioneve të Garave, palët kanë të drejtë ankese në Komisionin e Ankesave dhe Arbitrazhit të FBK-së brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit, me obligim depozitimi prej 500 euro.

Shpërndaje në rrjete sociale