Me gjithë humbjen 1-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munich, Real Madrid mund të largohet relativisht i kënaqur nga “Santiago Bernabéu”.
Madrilenët u mposhtën vetëm me një gol diferencë, ndërsa patën disa raste për të barazuar, por u ndalën nga pritjet vendimtare të Manuel Neuer. Në anën tjetër, bavarezët shpërdoruan disa kundërsulme të pastra në fund, që mund ta kishin mbyllur çështjen e kualifikimit që në ndeshjen e parë.
Rezultati 1-2 lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në “Allianz Arena”, por një problem i madh ka dalë në pah për trajnerin Álvaro Arbeloa: mungesa e Aurélien Tchouaméni, i cili u ndëshkua me karton të verdhë dhe do ta humbasë sfidën vendimtare në Mynih. Një nga risitë në formacion pritet të jetë rikthimi i Éder Militão, i cili ka treguar formë të mirë pas rikthimit nga lëndimi. Braziliani pritet të zë vendin e Huijsen në mbrojtje, ndërsa Arbeloa nuk ka kursyer elozhet për të, duke e konsideruar si një nga mbrojtësit më të mirë në botë kur është në formë.
Në mesfushë, rikthimi i Jude Bellingham në formacionin titullar duket pothuajse i sigurt. Anglezi hyri nga banka në ndeshjen e parë dhe solli energji të re në lojën e madrilenëve, duke krijuar rrezik të vazhdueshëm me depërtimet e tij.
Pyetja kryesore mbetet: kush do ta zëvendësojë Tchouamenin në mesfushë?
Opsioni më i natyrshëm është Eduardo Camavinga, megjithëse ai nuk është një mesfushor tipik defensiv. Francezi është më shumë një lojtar dinamik dhe kreativ, gjë që mund të krijojë boshllëqe përballë një skuadre të shpejtë dhe agresive si Bayerni.
Një alternativë tjetër është zhvendosja e Federico Valverde në qendër të mesfushës, përkrah Thiago Pitarch, duke lënë krahët për Bellingham dhe Arda Güler. Valverde ofron më shumë stabilitet defensiv dhe disiplinë taktike, diçka që mund të jetë kyçe në një ndeshje të tillë.
Nuk përjashtohet as mundësia që Arbeloa të befasojë duke vendosur një mbrojtës në rolin e mesfushorit defensiv, siç kanë bërë më parë trajnerë të mëdhenj si José Mourinho apo Carlo Ancelotti. Në këtë rast, kandidatët mund të jenë Huijsen ose David Alaba, megjithëse kjo mbetet një zgjidhje më pak e mundshme.
Një gjë është e sigurt: Arbeloa ka shumë për të menduar para sfidës së kthimit në Mynih, ku Reali do të kërkojë përmbysjen dhe një vend në gjysmëfinale. Pa Tchouamenin, por me shpresë të madhe./Arbresh.info
Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, Murati: Ule...
Çfarë dihet për armëpushimin dyjavor midis SHBA-së dhe Irani...
Agon Dobruna emërohet zëvendësministër i parë në Ministrinë ...
Spitali i ri Rajonal në Lezhë/ Rama: Problem menaxhimi, të p...
Komisioni për të Drejtat e Njeriut shpall konkurs për Avokat...
“Epoka e Iranit ka filluar”, Teherani shpall fitore pas armë...