Real Madridi i ka dhënë fund krizës së rezultateve, duke e mposhtur Levanten, me rezultat 2:0 në “Santiago Bernabeu”, në kuadër të xhiros së 20-të të La Ligës spanjolle.\
Megjithatë, pavarësisht tri pikëve të fituara, ndeshja u zhvillua në një atmosferë të pazakontë dhe të tensionuar. Një pjesë e tifozëve shprehën hapur pakënaqësinë me situatën aktuale në klub, duke përdorur fishkëllima dhe shami të bardha si shenjë proteste ndaj presidentit Florentino Pérez.
Nën presion të madh ishte edhe Vinícius Júnior, i cili u fishkëllye nga tribunat që para fillimit të takimit dhe më pas në çdo kontakt me topin, duke u dukur dukshëm i ngarkuar emocionalisht.
Në aspektin sportiv, skuadra e drejtuar nga Álvaro Arbeloa dominoi posedimin e topit, por pati vështirësi në thyerjen e mbrojtjes së organizuar të Levantes. Pjesa e parë u karakterizua nga kontrolli i Realit, por pa raste të pastra shënimi, ndërsa rasti më i rrezikshëm i kësaj pjese i takoi mysafirëve, kur Andrés gjuajti shumë afër shtyllës.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 56-të, kur Della shkaktoi faull ndaj Kylian Mbappé brenda zonës. Gjyqtari Sesma akordoi penallti, të cilën Mbappé e realizoi me siguri për epërsinë 1-0.
Pas golit të parë, loja e Real Madridit u bë më e qetë dhe më e organizuar. Vetëm nëntë minuta më vonë, Marco Asensio shënoi golin e dytë.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit krijuan edhe disa raste të tjera: Franco Mastantuono goditi traversën, gjuajtja e Jude Bellingham u ndal nga portieri Ryan, i cili pati edhe një pritje vendimtare ndaj Vinícius Júnior, duke shmangur një disfatë më të thellë për Levanten.
Me këtë fitore, Real Madridi i jep fund një serie prej dy humbjesh radhazi në Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Mbretit, ndërsa ngjitet në vendin e dytë të tabelës me 48 pikë, një më pak se Barcelona kryesuese, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Levante mbetet në vendin e parafundit me 14 pikë dhe vazhdon betejën për mbijetesë.
Benita shpërthen ndaj banorëve pas takimit me Endrin: Nëse k...
Trump fton Erdoganin t’i bashkohet Bordit të Paqes për Gazën...
Rama thotë se është ftuar nga Trump për të qenë në Bordin Nd...
Real Madridi rikthehet te fitorja, por `Bernabeu` mbetet në ...
Basha përkujton Skënderbeun: Përveç si strateg e gjeneral i ...
Cakolli: Manipuluesit e votave duhet të përfundojë në burg, ...