Ramadani i kënaqur me barazimin ndaj KuPS

21:45 | 2 Tetor 2025
D.H

Drita debutoi me barazim në Ligën e Konferencës. Skuadra gjilanase luajti baras ndaj KuPS me rezultat 1-1.

Trajneri Zekirija Ramadani, pas ndeshjes në konferencë për media tha se është i kënaqur me pikën e fituar në Finlandë, shkruan Arbresh.info

“Jemi të kënaqur me një pikë. Kjo ndoshta nuk do të vlej për tabelë, por psikologjikisht do të ketë rol të rëndësishëm, sepse po kthehemi të pamposhtur nga ky udhëtim dhe kjo do të thotë shumë për lojtarët në aspektin moral. Por shpresoj të jemi më të mirë në ndeshjet e radhës”, ka thënë Ramadani në konferencën për media.

Ai ka shtuar se karakteri i ekipit është prioritet dhe nuk do të lejojë që lojtarët të mendojnë se janë inferior ndaj kundërshtarëve.

“Me karakterin që kam nuk ia lejoj lojtarëve ta mendojnë se jemi inferior. Nëse luajmë thjesht dhe me guxim, do të jemi më të rrezikshëm për çdo kundërshtar. Nuk e ndjej veten e po ashtu as ekipin tim nuk e lejoj ta ndjej veten inferior ndaj asnjë kundërshtari”.

Ai ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të Veton Tushës, i cili u largua me barelë nga fusha pas lëndimit në minutën e 29-të.

“Lëndimi i Vetonit na mërziti shumë. Edhe në janar ishte në spital. Vetoni është dërguar në spital. Kemi një mjek atje, por nga informatat e para që kam, ai është në vetëdije, është në gjendje stabile. Ai flet, nuk ka humbur vetëdijen. Ka dhimbje pak, por presim rezultate dhe do të shkojmë ta vizitojmë në spital sapo të largohemi nga këtu”, ka thënë Ramadani.

Drita ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Gjilanit të hënën.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme