Po shkëlqen në Botëror me Zvicrën, Manzambi drejt transferimit në Premier League

19:41 | 9 Korrik 2026
D.H

Paraqitjet e jashtëzakonshme të Johan Manzambit në Kupën e Botës kanë bërë që talenti zviceran të kthehet në një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve.

Sipas “Sky Sport”, Newcastle United, i cili ka arkat e mbushura pas transferimit të Anthony Gordonit te Barcelona është afër ta transferojë yllin zviceran, shkruan Arbresh.info.

Newcastle dhe Freiburgu kanë arritur marrëveshje për transferimin e Manzambit për 60 milionë euro.

Kjo shumë e bën zviceranin një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit nga “St James’ Park”, edhe pse rekordi vazhdon t’i takojë Alexander Isakut, i cili iu bashkua Newcastle nga Real Sociedadi për 77.5 milionë euro në verën e vitit 2022.

Vlera e Manzambit është rritur ndjeshëm falë paraqitjeve të tij në Kupën e Botës. Sulmuesi zviceran e nisi turneun si rezervist, por paraqitjet e tij pas inkuadrimit në lojë e ndryshuan situatën.

Në ndeshjen ndaj Bosnjës, Manzambi hyri nga banka rezervë dhe realizoi dy gola brenda vetëm 19 minutave, duke bindur trajnerin që t’i japë një vend titullari në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve.

Në sfidën ndaj Kanadasë, ai u aktivizua nga minuta e parë dhe shënoi një gol, teksa dhuroi edhe një asist në fitoren 2-1 të Zvicrës.

Në fazën e 1/16-tës së finales, Manzambi vazhdoi me kontributin e tij, duke dhënë një asist në fitoren 2-0 të Zvicrës ndaj Algjerisë.

Megjithatë, në stërvitjen e fundit para përballjes së 1/8-tës së finales ndaj Kolumbisë, të cilën zviceranët e fituan pas penalltive (0-0, 4-3), ai pësoi një lëndim në gju.

Për këtë arsye, Manzambi mbetet në dyshim për ndeshjen e çerekfinales ndaj Argjentinës së Lionel Messit, e cila zhvillohet të dielën në orën 03:00 në Kansas.

Në nivel klubesh, Manzambi ka kaluar nëpër akademinë e Servette, para se në janar të vitit 2023 të transferohej te Freiburgu.

Sezonin e kaluar, ai zhvilloi një edicion të shkëlqyer duke shënuar 7 gola dhe duke dhuruar 9 asistime në 47 ndeshje, statistika që së bashku me paraqitjet e tij në Botëror kanë bërë që ai të jetë shumë pranë një transferimi të madh në Premier League./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale