Abdixhiku uron partitë për rezultatin zgjedhor: Kosova ka nevojë për stabilitet dhe maturi politike

10:57 | 8 Qershor 2026
E.G

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar votuesit dhe qytetarët e Kosovës pas rezultateve zgjedhore, duke thënë se partia ka hyrë në një fazë të re politike me “stabilitet të ri” dhe rikthim të besimit.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka falënderuar votuesit e LDK-së dhe qytetarët për mbështetjen e dhënë.

“Votuesve tanë – ju faleminderit! Qytetarëve të Kosovës – mirënjohje për vlerësimin e dhënë dhe për mundësinë e dytë ndaj nesh”, ka shkruar ai.

Duke komentuar ndryshimet politike brenda pak muajsh, ai ka theksuar se LDK ka kaluar nga një periudhë e vështirë drejt konsolidimit të ri.

“Nga dhjetori deri më sot nuk ka kaluar shumë kohë. Në çdo normalitet kohor, gjërat nuk do të ndryshonin kaq shpejt por për LDK-në ishte ndryshe. Këtë herë për të mbarë. Nga një krizë historike drejt një stabiliteti të ri”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka bërë të ditur se LDK ka siguruar 20 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Abdixhiku ka falënderuar edhe strukturat e partisë, duke vlerësuar angazhimin e tyre në procesin zgjedhor.

“Veprimtarëve tanë të palodhur – ju faleminderit! Ju jeni arsyeja e këtij rikthimi,” ka thënë ai, duke shtuar se partia do të vazhdojë me reforma të brendshme.

“Përpara nesh kemi edhe reforma të thella të brendshme. Na duhen njerëz që i japin vizionit tonë, që ndërtojnë bashkë me ne, e jo të tillë që vetëm marrin pa dhënë, pengojnë e shpresojnë në rrënim kolektiv për përfitim individual. Këto reforma do t’i bëjmë. Me prioritet, shpejtë dhe qartë si kurrë më parë” , ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe drejtim të ri.

“Kosova jonë vazhdon të jetë në krizë. Kosova jonë ka nevojë për stabilitet,” ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku ka uruar edhe partitë e tjera për rezultatet dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim politik në interes të vendit.

“Uroj të gjitha partitë politike në Kosovë për një garë demokratike dhe për rezultatin e tyre zgjedhor. Le ta shfrytëzojmë këtë rezultat për ta bërë vendin siç e meriton”, ka përfunduar ai. /Arbresh.info