Kombëtarja e Kosovës e nisi me barazim kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” barazuan 1:1 në ndeshjen e parë në udhëtim tek Izraeli duke marrë një pikë në Grupin I.
Futbollistët e drejtuar nga përzgjedhësi francez, Alain Giresse do ta kenë edhe një betejë në muajin mars. Ata do të përballen me Andorrën të martën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dy trajnerët e mirënjohur të futbollit të Kosovës, Jusuf Tortoshi dhe Gani Sejdiu kanë folur për lajmi.net rreth këtyre dy ndeshjeve.
Tortoshi u shpreh i kënaqur me një pikë të fituar në Tel Aviv, ndonëse shtoi se Kosova ka mundur të kthehet në Prishtinë me pikë të plota.
Sipas Tortoshit, konkurent i Kosovës për një pozitë që dërgon në Evropian është Rumania, pasi Izraeli nuk ka kualitetet e reprezentacionit kosovar.
“Para lojës ne ishim të kënaqur edhe në rast të barazimit. Por, atë që e pamë në lojë, ishim afër fitores. Megjithëse kemi mundur edhe të humbim. Rastin e Milot Rashicës në fund të ndeshjes ende nuk po mundem me e harru pasi mund të vendoste gjithçka. Barazimi është i mirë për ne. Nesër me një fitore eventuale kundër Andorrës të marrin katër pikë në këto ndeshje. Unë e shoh që Kosova ka më shumë kualitet se Izraeli. Konkurrent për ne në vendin e dytë mbetet Rumania” – tha Tortoshi.
Tortoshi tregoi edhe problemin e Kosovës ndaj Izraelit.
“Kosovës i duhet angazhim më i madh i mesfushorëve. Na duhen mesfushorë që bëjnë ndërprerje të aksioneve. Në raste kur rrezikohej porta, asnjë mesfushorë nuk bëri të paktën faul për ta ndalë aksionin e kundërshtarëve. Besoj se do të zgjidhet ky problem”, theksoi ai.
I kënaqur me një pikë të fituar në stadiumin “Bloomfield” u nda edhe trajneri mitrovicas, Gani Sejdiu.
Sejdiu kritikoi lojën e Kombëtares kosovare në fraksionin e parë të lojës dhe trajnerin Giresse për zëvendësimet e vonshme.
“Nëse llogarisim faktorin që ishim mysafirë edhe rrjedhën e takimit mendojë që është pikë e mjaftueshme dhe duhet të jemi të kënaqur me barazimin në Izrael. Sidoqoftë, ajo që ka qenë brengosëse ishte pjesa e parë. Pjesa e parë ishte e dobët. Kombëtarja ishte e pasigurtë me shumë gabime. Lojtarët tanë që luajnë në liga të mëdha nuk duhet të bëjnë. Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë për ne. Kombëtarja jonë ishte më stabile, krijoi më shumë. Disa ndërrime që u bën më vonë është dashur të bëhen më herët. Izraeli nuk e ka vlefshmërinë si të Kosovës por është kombëtare që luan shumë mirë. Duhet të jemi real, është një pikë e merituar dhe duhet të jemi të kënaqur”, deklaroi Gani Sejdiu.
Edhe për Sejdiun pozita ku po çalon Kosova është mesfusha. Tekniku mitrovicas përmendi me theks të veçantë Ibrahim Dresheviqin duke thënë se ai bëri gabime të shumta.
“Mesfusha më ka befasuar shumë. Sidomos Dresheviq. Ai është lojtar që në të kaluarën ka treguar lojëra të mira. Është lojtar që nuk e kishte koncentrimin dhe përgjegjësinë e duhur po pozicionin që e ka. Bëri shumë gabime. Goli erdhi nga gabimi i tij. Ne nuk mund t’i tregojmë Giresses çfarë të bëj. Ai e di më së miri. Nga sulmi kam pritur më shumë nga Zhegrova. Rashica ishte shumë mirë që ishte në elementin e duhur. Formën që po e kalon te Galatasaray po e shpërfaq edhe te Kosova”, vazhdoi ai.
“Kundër Andorrës nuk ka nevojë shumë të bëjë ndryshime trajneri Giresse. Duhet llogaritur se Andorra nuk është kundërshtar i fortë si Izraeli. Duhet të bëjë disa intervenime në pozita që ndaj Izraelit nuk ishin në nivel. Por, ndaj Andorrës duhet të kemi kujdes pasi këto kombëtaret dinë të befasojnë”, përfundoi Gani Sejdiu.
Kosova renditet e treta në Grupin I me një pikë, njëjta sa Izraeli një pozitë më poshtë. E para është Zvicra me tri pikë. Tri pika ka edhe Rumania.
Andorra dhe Bjellorusia janë dy të fundit në grup pa asnjë pikë.
Kurti takoi një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi
Rama: Ftesa e Trump për Bordin e Paqes ngjarje historike për...
Spiropali takon Erdogan: Turqia, rol të rëndësishëm në paqen
KQZ: Procesi i rinumërimit përmbyllet plotësisht në 23 komun...
54 aksidente dhe afër 2 mijë gjoba trafiku në 24 orët e fund...
En-Nesyri nuk bindet nga projekti i Juventusit, do transferi...