Një ditë para përballjes me gjigantin holandez, Kurti pret në zyrë stafin dhe lojtarët e Dritës

17:01 | 10 Dhjetor 2025
D.H

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur në zyrën e tij sot futbollistët dhe stafin e Dritës një ditë para ndeshjes së rëndësishme që i pret gjilanasit ndaj AZ Alkmaar në Ligën e Konferencës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti e ka falenderuar Dritën për përfaqësimin dinjitoz që i kanë bërë Kosovës në arenën evropiane, teksa iu uroi fat për ndeshjen e radhës.

Ai gjithashtu ka marrë një dhuratë simbolike nga klubi, një fanellë me emrin dhe mbiemrin e tij si dhe numrin 1.

“Nga 36 ekipe, FC Drita e Gjilanit renditet në vendin e 8-të në Ligën e Konferencës. Shanset i kanë të mëdha për kualifikim në fazën tjetër.”

“Përfaqësuesve të klubit, tranjerit, futbollistëve dhe stafit teknik, që i mirëprita me kënaqësi në kryeministri, i shpreha mirënjohjen për përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë.”

“Bardh e kaltërtit nga Gjilani nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e presin AZ Alkmaar e Holandës në ndeshjen e radhës.”

“Arritja e rezultatit pozitiv do të shënonte tjetër sukses historik për klubin dhe mbarë futbollin tonë. Forca Drita!”, thuhet në postimin e Kurtit.

Kujtojmë se kryeministri në detyrë ishte i pranishëm në stadium edhe ndeshjen e kaluar të Dritës, të cilën e fitoi ndaj Shkëndijes së Tetovës minimalisht 1-0.

Ndeshja e nesërme luhet me fillim nga ora 18:45 në arenën “Fadil Vokrri”./Arbresh.info

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme