Nëntë të arrestuar, pas përplasjes mes tifozëve të Rangers dhe Celticut në fushë

22:45 | 9 Mars 2026
D.H

Policia skoceze ka arrestuar nëntë  pas incidenteve të rënda që ndodhën në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Skocisë mes Rangers dhe Celtic, e zhvilluar të dielën në stadiumin Ibrox Stadium.

Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i arrestimeve mund të rritet ndjeshëm, pasi është hapur një hetim i gjerë për ngjarjet që ndodhën gjatë dhe pas përfundimit të takimit, përcjell Arbresh.info.

Tensionet shpërthyen menjëherë pasi Celtic fitoi ndeshjen me penallti ndaj rivalëve të përjetshëm. Dhjetëra tifozë të skuadrës mysafire hynë në fushë për të festuar triumfin, ndërsa mbi njëqind tifozë të Rangers u drejtuan me vrap drejt tyre, duke rrezikuar një përplasje masive. Policia dhe stjuardët ndërhynë për të krijuar një kordon sigurie mes dy palëve, por situata u tensionua dhe nga tribunat u hodhën objekte të ndryshme, përfshirë edhe një flakadan të ndezur.

Shefja e policisë, Emma Croft, bëri të ditur se disa oficerë policie dhe qytetarë pësuan lëndime gjatë përplasjeve. Sipas saj, një polic u godit në kokë me një shishe, ndërsa të tjerë pësuan dëmtime në kokë, fytyrë dhe në krahë. Gjithashtu, tre ose katër persona nga publiku u raportuan të lënduar gjatë incidenteve.

Pamjet e publikuara tregojnë edhe një police femër që u godit me shkelm nga pas nga një tifoz i Rangers, i cili po vraponte drejt tribunës “Broomloan”, ku ndodheshin rreth 7,500 tifozë të Celticut. Në një tjetër video shihet një tifoz që tenton të godasë me shkelm mbrojtësin e Celticut, Julian Araujo, ndërsa një tjetër e shtyn atë gjatë rrëmujës në fushë.

Policia konfirmoi se një burrë 54-vjeçar është akuzuar për sulm ndaj një oficeri policie, ndërsa një tjetër, 47 vjeç, për sulm ndaj një trajneri dhe një lojtari. Ndërkohë, gjatë kaosit një fëmijë 10-vjeçar u godit nga një monedhë e hedhur nga tribuna.

Incidentet nuk u kufizuan vetëm brenda stadiumit. Jashtë “Ibrox”, në rrugën “Helen Street”, një burrë u gjet i plagosur në tokë. Tre persona, të moshave 54, 23 dhe 20 vjeç, janë arrestuar dhe akuzuar për një sulm të rëndë në lidhje me këtë ngjarje.

Autoritetet po hetojnë edhe një incident tjetër që ndodhi para fillimit të ndeshjes, kur disa tifozë të Celticut hynë në stadium pa leje, duke shkaktuar një vonesë prej rreth 24 minutash në hyrjen e tifozëve me bileta. Policia theksoi se kamerat e sigurisë dhe provat e tjera do të analizohen për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në dhunë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale