Muaji prill vendimtar për të ardhmen e Schlotterbeck, mbrojtësi ka dy zgjidhje në dispozicion

20:58 | 3 Mars 2026
D.H

Pas humbjes 2-3 në “Der Klassiker” ndaj Bayern Munich, te Borussia Dortmund po kalojnë ditë të vështira. Megjithatë, fokusi në Gjermani nuk është te Bundesliga, por te e ardhmja e mbrojtësit Nico Schlotterbeck, i cili po ndiqet nga afër nga Real Madrid.

Interesimi i klubit madrilen ka shtuar shqetësimin në “Signal Iduna Park” dhe ka përshpejtuar lëvizjet e drejtuesve të Dortmundit. Schlotterbeck konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të brezit të ri të klubit dhe një referencë e rëndësishme për projektin e së ardhmes.

Sipas raportimeve të Sport Bild, para mesit të muajit mars do të zhvillohet një takim vendimtar mes drejtuesve të Dortmundit dhe mbrojtësit të kombëtares gjermane.

Në këtë mbledhje pritet të marrë pjesë pothuajse e gjithë drejtoria e klubit, me qëllim që t’i paraqesin qartë rolin e tij në projektin sportiv dhe ta bindin të zgjasë kontratën përtej vitit 2027.

Strategjia e “verdhezinjve” nuk bazohet aq shumë te aspekti financiar, por më tepër te ana emocionale dhe roli udhëheqës që Schlotterbeck do të kishte në skuadër në vitet e ardhshme. Në klub ka një qëndrim të qartë: e ardhmja e tij duhet të zgjidhet para muajit prill, pavarësisht nëse vendos të qëndrojë apo të largohet.

Megjithë zhurmën rreth interesimit të Real Madridit, “Sport Bild” thekson se deri më tani nuk ka as ofertë zyrtare dhe as kontakte direkte mes palëve.

Në Dortmund këtë situatë e shohin si arsye për optimizëm, pasi nëse lojtari do të kishte arritur marrëveshje me madrilenët, vështirë se do të organizohej një takim i fundit për ta bindur të rinovojë kontratën.

Gjermani iu bashkua Dortmundit në vitin 2022 nga Freiburgu./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme