Mikel Arteta e konfirmon të ardhmen e Mustafit

12:35 | 14 Janar 2021

E ardhmja e Shkodran Mustafi është në Arsenal, ka konfirmuar Mikel Arteta, duke i hedhur poshtë thashethemet për largimin e qendërmbrojtësit shqiptar nga Emirates.

Trajneri i Arsenalit Arteta ka thënë se nuk e ka ndërmend ta largojë Mustafin nga skuadra, pavarësisht se nuk i ka dhënë shumë hapësirë për të luajtur.

Ish-përfaqësuesi i Gjermanisë ka luajtur vetëm 43 minuta në tri paraqitje deri tani këtë sezon në Premierligë, edhe pse i ka zhvilluar tri ndeshje të plota në Ligën e Evropës.

Marrëveshja e Mustafit me Arsenalin mbaron në fund të këtij sezoni.

Pavarësisht situatës rreth marrëveshjes së 28-vjeçarit, Arteta këmbëngul se e ka në planet e tij ta aktivizojë si titullar mbrojtësin shqiptar.

“E ardhmja e tij është këtu”, tha Arteta për Mustafin.

I pyetur pse Mustafi ka luajtur tepër pak në sezonin 2020/21, Arteta shtoi: “Musti vinte nga një lëndim shumë i vështirë pasi u lëndua në fund të sezonit të kaluar. Në atë kohë ai luante shumë mirë. Mendoj se paraqitjet e tij po bëheshin çdo herë e më të mira”.

“Kur u rikthye, i kishim shtatë apo tetë qendërmbrojtës. Prandaj atij i duhej ta rriste nivelin e lojës së tij”. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara