Mbrojtësi i Barçës me shqetësime muskulore, në dyshim për ndeshjen e sotme ndaj Newcastle

18:49 | 10 Mars 2026
D.H

Mbrojtësi i Barcelonës, Eric García është në dyshim serioz për ndeshjen e mbrëmjes së sotme ndaj Newcastle United në “St. James’ Park” (21:00), në kuadër të ndeshjes së parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Qendërmbrojtësi nga Martorell po vuan nga disa shqetësime muskulore dhe gjithçka tregon se ai mund të mbetet jashtë kësaj përballjeje të rëndësishme. Nëse mungesa e tij konfirmohet, kjo do të jetë një goditje e ndjeshme për skuadrën e drejtuar nga Hansi Flick, i cili do të detyrohet të riorganizojë repartin defensivë.

Sipas të gjitha gjasave, në mungesë të Eric Garcías, mbrojtja e Barcelonës mund të rreshtohet me Ronald Araujo në krahun e djathtë, ndërsa në qendër pritet të luajnë Pau Cubarsí dhe Gerard Martín. Në krahun e majtë parashikohet të aktivizohet Joao Cancelo, megjithëse polivalenca e portugezit mund t’i japë Flick edhe alternativa të tjera taktike.

Nëse García nuk arrin të rikuperohet, trajneri gjerman do të ketë shumë pak opsione në stol për repartin defensiv. Në dispozicion do të mbeteshin vetëm dy mbrojtës nga skuadra e dytë: Álvaro Cortés dhe Xavi Espart.

Problemet në mbrojtje janë shtuar edhe më shumë pas ndeshjes së fundit kundër Atlético Madridit në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit në “Spotify Camp Nou”, ku u dëmtuan dy mbrojtës krahu, Jules Koundé dhe Alejandro Balde. Kjo situatë e vështirë e detyron Barcelonën të përballet me sfidën ndaj Newcastle me një repart mbrojtës të kufizuar./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale