Malisheva e mposht edhe Prishtinën si Dukagjinin, në fund të ndeshjes

18:14 | 2 Maj 2026
Q L

Malisheva ka marrë fitore me peshë në udhëtim, pasi e ka mposhtur Prishtinën me rezultat 0:1 në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Pjesa e parë është mbyllur pa gola, 0:0, edhe pse të dy skuadrat kanë krijuar raste për shënim.

Në pjesën e dytë loja është bërë më dramatike, sidomos pasi Prishtina ka mbetur me një futbollist më pak. Pesëmbëdhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes, Samatic është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe është përjashtuar nga loja.

Kur pritej përfundimi i takimit pa gola, Malisheva e ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e pestë të kohës shtesë. Heroi i mysafirëve ka qenë Altin Aliu, i cili ka realizuar pas një topi të kthyer nga goditja e bashkëlojtarit.

Me këtë fitore, Malisheva vazhdon fuqishëm garën për Evropë dhe renditet në pozitën e tretë me pesëdhjetë e dy pikë, ndërsa Prishtina mbetet e katërta me dyzet e pesë pikë.

Shpërndaje në rrjete sociale