Edhe pse Liverpooli investoi plot 450 milionë funte gjatë verës së kaluar, skuadra e Arne Slot vazhdon të ketë boshllëqe serioze në organikë që po e penalizojnë në këtë sezon.
Qendra e mbrojtjes mbetet e varfër në alternativa për të përballuar disa fronte njëkohësisht – ndërsa fakti që Marc Guehi po i bashkohet Manchester Cityt vetëm sa e thellon zhgënjimin në “Anfield”. Përveç kësaj, një mesfushor defensiv është i domosdoshëm për të ardhmen e afërt dhe rënia e ndjeshme e Mohamed Salah ka ekspozuar mungesën e opsioneve cilësore në krahë.
Përforcimet në repartin mbrojtës janë prioritet urgjent pas paraqitjeve zhgënjyese në këtë sezon, por shtimi i të paktën një sulmuesi krahu në muajt e ardhshëm është thelbësor që Liverpooli të rikthejë identitetin e tij ofensiv.
Këtu hyn në skenë Michael Olise. 24-vjeçari po shkëlqen në Bundesliga me Bayern Munich krahas Harry Kane dhe ish-lojtarit të Liverpoolit, Luis Diaz. “Bavarezët” paguan vetëm 50 milionë funte për kartonin e tij – një investim që tashmë konsiderohet një nga goditjet më të mira të viteve të fundit.
Në sezonin e tij debutues në Gjermani, Olise regjistroi 27 kontribute në gola në 34 ndeshje të Bundesligës dhe duke kontribuar fuqishëm në titull.
Në Ligën e Kampionëve shtoi edhe shtatë gola/asistime, ndërsa forma e tij shpërthyese vazhdoi edhe në sezonin aktual, ku deri në pushimin dimëror të 2025–26 numëronte 26 kontribute direkte në gola.
Statistikat e tij këtë sezon janë marramendëse: sipas “Fbref” ai renditet në percentilin e 99-të për pasime kyçe, mbajtje progresive të topit dhe aksione që krijojnë raste për gol për 90 minuta – pikërisht profili kreativ që Liverpoolit i mungon në mënyrë alarmante.
Olise është një lojtar spektakolar teknikisht, me driblim të butë, vizion të jashtëzakonshëm dhe një këmbë të majtë magjike që di si të asistojë ashtu edhe të finalizojë me goditje perfekte nga distanca apo nga këndi i zonës.
Ndryshe nga shumë lojtarë që vijnë nga Bundesliga, Olise nuk do të kishte asnjë problem adaptimi në Angli. Ai është i lindur dhe rritur në Angli, është formuar te Reading dhe u bë emër i madh te Crystal Palace, ku në tri sezone në Liga Premier regjistroi shifra dyshifrore në gola dhe asistime dhe u dallua për stilin e tij argëtues.
As barrierë gjuhe, as problem ambienti – një avantazh i madh nëse Liverpooli do të tentonte ta transferonte nga Bayerni. Por çmimi do të ishte i frikshëm: çdo negociatë do të niste mbi 80 milionë funte.
Gabimi i Liverpoolit për të mos zëvendësuar Luis Díaz gjatë verës tashmë po paguhet shtrenjtë, ndërsa klubi nuk mund ta përsërisë të njëjtën situatë me Salah. Egjiptiani mbetet legjendë në Anfield, por përplasjet e fundit dhe rënia e ndikimit e bëjnë të domosdoshëm një plan pasues serioz.
Opsionet për një pasardhës të denjë të Salah janë shumë të pakta – dhe Olise është një nga emrat më të fortë në këtë rol, edhe pse ende nuk ka mbushur 25 vjeç.
Transferimi i tij nga Bayern Munich do të ishte jashtëzakonisht i vështirë – ndoshta edhe i pamundur – por Liverpooli pritet ta tentojë me çdo kusht./Telegrafi